Transmetuar më 11-12-2019, 11:48

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me kryetarin e Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra dhe banorët e zonës panë nga afër përfundimin e punimeve të urës së re tip “bailey” që lidh fshatin Dardhë me pjesën tjetër të Bashkisë së Librazhdit, e cila u ndërtua nga Ministria e Mbrojtjes.

Para disa kohësh ura e varur mbi lumin Shkumbin që bënte të mundur lidhjen e fshatit Dardhë me pjesën tjetër të Bashkisë së Librazhdit u shemb si pasojë e prurjeve të mëdha të lumit.

Prej atëherë lëvizja e banorëve dhe fëmijëve të shkollës bëhej me anë të një litari varur në dy anët e lumit duke përbërë rrezik për jetën e tyre.

Bashkia e Librazhdit në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes bënë të mundur ndërtimin e një ure tip “bailey” për kalimin e sigurtë, tashmë jo vetëm të këmbësorëve, por edhe të automjeteve.

Në fjalën e tij, Balla tha se pavarsisht se e gjithë vëmendja e qeverisë dhe e të gjithë popullit shqiptar shkon sot për familjet që janë prekur nga tërmeti, punët e rëndësishme në çdo cep të vendit vazhdojnë.

Investimi në urën e Hotolishtit ishte emergjencë për banorët e kësaj zone të cilët rrezikonin çdo ditë duke kaluar lumin./b.l/noa.al/