Transmetuar më 07-12-2019, 16:48

Kryedemokrati Lulzim Basha ishte sot në takim me sipërmarrësit e Durrësit ku vuri re dëmet që ka shkaktuar tërmeti në aktivitetin ekonomik.

"Ndërprerja dhe reduktimi i aktivitetit ekonomik, dëmet në struktura, makineri dhe inventar, fatura financiare, pezullimi i punës nga një numër jo i vogël të punësuarish banesat e të cilëve janë shkatërruar apo dëmtuar rëndë; këto janë problemet kryesore me të cilat po ballafaqohet sipërmarrja", u shpreh Basha.

Ai shtoi se duhen paguar taksa, tarifa dhe fatura, kontrata me palët e treta, jashtë dhe brenda vendit që mbartin detyrime kohore dhe financiare, sikundër bizneset përballen me pagesat e kësteve të kredive bankare.

Pas konsultës me përfaqësuesit e Asamblesë së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar, Basha propozoi që të merren masa të menjëhershme për:

1-Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore  gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.

2-Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.

3-Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.

4-Përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.

5-Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.