Transmetuar më 06-12-2019, 12:26

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka analizuar veprimet dhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama në këto ditë fatkeqësisë natyrore pas tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin më 26 nëntor. Në një reagim në ‘Facebook’ Manjani thekson se të gjithë ata që mendojnë se ky është fundi politik i Ramës, gabohen. Sipas Manjanit rindërtimi është karta e re elektorale e Ramës.

“Kush mendon se Edi Rama preku fundin e tij politik me këto shfaqje të shëmtuara mediatike, e ka gabim. Totalisht gabim! Shfaqet e shëmtuara të tipit big brother që Ai bën, janë instrumenti për të harruar të ligat që i ka bërë këtij vendi. Janë instrumenti që i bën njerëzit të harrojnë se pati tërmet dhe aspak shtet. Fillimisht u hoq si i goditur nga tërmeti, pastaj si viktimë e fatkeqsisë, në vijim si viktimë e lajmeve të rreme, pastaj si vendimmarrës i flaktë dhe tani si rindërtues”, shkruan Manjani.

I Më tej ish- ministry thekson se rindërtimi është karta e re elektorale e tij. “Mbaroi punë me Rilindjen, pasi rilindi çdo gjë që mundi nga sistemi komunist. Akti i fundit i rilindjes ishte sulmi politik ndaj Agron Tufës,i cili kërkon azil për t’u mbrojtur nga sulmi komunist që tashmë ka rilindur!!! Tani udhëheqësi flet për rindërtim. Nuk ka rëndësi se me ç’para, apo me ç’burime! Me Gjushin e me kë të mundet. Duhet rindërtim!”

Sipas Manjanit, “E përkthyer në terma praktikë: shtëpi të re që ta dhuron pushteti. Në emër të Rindërtimit do mbyllen shumë gropa të hapura në memorien e njerëzve e bashkë me to edhe gojët kritike, që janë elementi i fundit i mbetur i asaj pak shoqërie demokratike që ka mbetur. Model i njohur ky në Rusi dhe Turqi. Putin dhe Erdogan janë rikatapultuar bash pas fatkeqsive si kjo e jona.

Turqia dhe Rusia janë shtetet me numër çështjesh më të lartë në Gjykatën e Strasburgut sa i takon lirisë së shprehjes dhe procesit të rregull ligjor. Lotët e krododilit, solidariteti i shtirur, dajaku në emër të fatkesisë dhe shfaqja e Bosit si çelësi i zgjidhjes janë instrumete të njohura. Prandaj kujdes! Nuk është kaq e thjeshtë me këtë model politik”./b.l/noa.al/