Transmetuar më 06-12-2019, 11:54

Mbërrin nga Italia letër-porosia, për Valdrin Pjetrin, kryebashkiaku socialist i Shkodrës, i dorëhequr disa javë më parë, pas akuzave të Partosë Demokratike ndaj tij, si i proceduar për trafik droge në shtetin fqinj.

Në letër-porosi konfirmohet dënimi i tij në Itali. Sipas letër-porosisë, pas dënimit në vitin 2003, drejtësia italiane kishte rënë dakord që Pjetri të mos bënte burg, por të largohej nga Italia e të mos kthehej më.

Tashmë pritet që Pjetri të merret i pandehur për falsifikim dokumentesh, pasi nuk ka deklaruar dënimin e tij në Itali, në formularin e dekriminalizimit.

Kjo letër-porosi vjen pasi sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme i kërkoi Interpol dhe Europolit, informacion lidhur me precedentët penalë të Pjetrit gjatë viteve 2001-2003.

Kjo pas publikimit të dokumentit nga Partia Demokratike, nëpërmjet të cilit Pjetri rezulton i dënuar në Itali për trafik droge.

Në mesazhin e tij të dorëheqjes, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës, sqaroi se, “Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor”.

Ai nënvizoi më tej se, në kushtet kur vetë, por dhe familja e tij po përballen me një situatë të tillë, do ta çojë deri në fund çështjen.

“Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”, tha Pjetri. /a.y/noa.al/