Transmetuar më 06-12-2019, 09:43

Prezantohet në Prokurorinë e Përgjithshme, kreu i ri i kësaj prokurorie i zgjedhur një ditë më parë nga Kuvendi, Olsian Çela. E pranishme në dorëzimin e stafetës është dhe prokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku e cila gjatë fjalës së saj është shprehur se është e lumtur që ka drejtuar për dy vite Prokurorinë e Përgjithshme edhe pse siç ka theksuar ajo nuk ka qenë e lehtë. Më tej ajo shton se është po aq e lumtur që këtë detyrë po ja kalon shokut të saj të klasës.

“Jam munduar që prej ditës së parë të punoj me përkushtim e integritet ashtu siç duhet të bëjë çdo zyrtar i këtij shteti. Dua të falenderoj prokurorët, gjithë stafin që më kanë ndihmuar në përballimin e sfidave në këto 2 vite, ndihma juaj më ka dhënë një ekseriencë të shkëlqyer. Falenderoj përfaqësuesit e OPDAT dhe Euralius më kanë mbështetur në çdo iniciativë.

Falenderim të veçantë për median, hapësirën që më keni përkushtuar qoftë kur keni qenë dashamirës apo edhe më pak roli juaj na bën më të përgjegjshëm. Urime prokurorit, kam besim që Prokuroria do ecë përpara në përmbushjen e misionit të saj kushtetues jam shumë e lumtur që detyrën ia pasoj një shokut tim të klasës e jam e sigurt që do kaloni shumë mirë me të”, u shpreh Marku.

Ndërsa Çela teksa ka falenderuar Markun për këtë punë në këto dy vite, në një fazë tranzicioni, siç e ka quajtur ai ku vendi është përballur me mjaft probleme të mëdha tha se tani hyjmë në një fazë të re, ku po ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë. Ai premtoi se e ardhmja do jetë më e mirë teksa tha se tani duhet një angazhim ndryshe për punën në prokurori pasi ajo ka pësuar ndryshimet më të mëdha me reformën në drejtësi.

“Ndoshta është hera e parë që kalon detyra. Transparenca është mënyra më e mirë për të rritur besimin e institucioneve dhe te publiku. Falenderoj dhe vlerësoj Markun për këtë punë në këto dy vite, në një fazë tranzicioni, ku vendi është përballur me mjaft probleme të mëdha. Ajo ka bërë më të mirën e mundshme.

Tani hyjmë në një fazë të re, ku po ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë. Prokuroria ka pësuar ndryshime rrënjësore, kjo kërkon një angazhim të ri dhe konceptim të ri si duhet të funksionojë ky organ. Kemi kapacitetet për t’i dhënë vendit një të ardhme më të mirë, që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes së BE, rezultatet e punës sonë kanë rëndësi të jashtëzakonshme”, tha kryeprokurori i ri Olsian Çela.

Sipas tij “Në këto kushte, unë mendoj se ka tashmë ka mundësi që Kryeprokurori mund të japë kontribut për t’u dhënë jetë ideve të reja. Sot ne ndodhemi në një fazë të vështirë, vendi po përballet me një krizë për shkak të ngjarjeve të fundit të muajit nëntor. Përgjigja që prokuroria duhet të japë në rastin konkret duhet të jetë, spikasë në raport me atë që po bëjnë institucionet e tjera, pasi njerëzit kërkojnë drejtësi, dhe gjërat të bëhen konkrete.

Është një rast që jemi në lartësinë e asaj që pret vendi dhe njerëzit presin. Do të gjejmë të gjithë mekanizmat për të arritur atë që populli pret në raport me prokurorinë. Cdo gjë nuk shkon, vaj ndryshimet gjithmonë janë pozitive. Vendi është në rrugën e duhur dhe e ardhmja do të jetë më e mirë”./b.l/noa.al/