Transmetuar më 06-12-2019, 09:35

Aktori i humorit Julian Deda, mbrëmjen e kësaj të enjteje ka ndezur dritat e pemës festive në shtëpinë e tij.

Pa harruar tërmetin që goditi vendin në 26 nëntor, ku prej tij gjetën vdekjen 51 persona, ai thotë se të gjithë bashkë do ja dalim që të festojmë bukur, ashtu siç u bashkuam në tragjedi.

Madje ai bën një shkrim emocionues, lidhur me atë që ndodhi në vendin tonë, teksa viktimat i quan engjëj:

“Nata kur pema është gati, shënon hyrjen zyrtare në zonën më festive të vitit. Kemi hyrë në muajin e festave, në muajin e fundit të këtij viti, që do ta mbajmë mend jo vetëm gjatë gjithë jetës sonë por do kujtohet ndër breza. Fatkeqësisht bashkë me ne nuk do munden të festojnë ata që shkuan në botën tjetër pa patur asnjë faj, ato familje që tërmeti i pabesë i veshi me të zeza. Më vjen keq, shumë keq. Ata në fakt janë engjëjt tanë atje lart, që ndoshta po na luten “festoni, se jeta vazhdon” por ne nuk i dëgjojmë dot.

E vërtetë, ata kanë të drejtë, jeta vazhdon. Kemi shumë gjëra të bukura për të jetuar dhe përjetuar. Ndoshta është e lehtë për ta thënë dhe shumë e vështirë per ta zbatuar por duhet të shohim dritën, të shohim përpara, të shohim njeri-tjetrin në sy dhe ashtu siç ishim të bashkuar në tragjedi, të jemi edhe në gëzime e festa.Të gjithë bashkë do ja dalim edhe të festojmë bukur. Zoti na i bekoftë familjet tona…!” /a.y/noa.al/