Transmetuar më 03-12-2019, 13:17

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, inspektoi disa objekteve që do të shemben në Durrës, pas dëmtimeve të pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ai shtoi se ajo që po shihet tani është edhe varrosja e disa godinave që në fakt janë shembur vetë.

Në këtë linjë ministri tha se, “Ajo që nuk mund të varroset kurrë është përgjegjësia e gjithkujt që ka lidhje me këtë cedim që kanë patur në disa godina, kryesisht pallate dhe disa godina të tjera. Që ditën e parë pavarësisht se publiku ka parë forcat e ndërhyrjes që kanë bërë punën për evakuimin e njerëzve, për shpëtimin e njerëzve, paralel me këta kanë punuar edhe strukturat e tjera të Policisë, të cilat nuk janë edhe aq shumë të dukshme ndoshta nga pikëpamja e uniformave, kanë punuar për të evidentuar gjithçka që lidhet me veprimtari të mundshme kriminale”.

Lleshaj shtoi se të gjitha pallatet ku ka patur humbje jete njerëzore, janë skena krimi, konsiderohen nga policia si skena krimi dhe si të tilla janë trajtuar.

Ai bëri me dije se aty janë grumbulluar provat materiale dhe janë administruar në bashkëpunim me Prokurorinë.

Në vijim tha se ndërkohë një ekip i madh hetuesish, investigatorësh, të Policisë së Shtetit, Prokurorisë po merren me verifikimin e thellë, hetimin e thellë, i cili do të japë pastaj dhe përgjigjet për gjithçka ka ndodhur dhe për gjithçka që nuk ka ndodhur.

“Kemi raste kur dy pallate janë ngjitur dhe një pallat është shembur dhe tjetri jo, pra një përgjigje duhet kërkuar përse është shembur ky dhe jo ky tjetri. E para, gjëja kryesore që ka të bëjë me fiksimin dhe administrimin e provave është bërë. Të gjithë elementët e provës materiale që duhen për këtë rast konkret janë tashmë të administruara nga policia, çeliku i përdorur, hekuri i përdorur, betoni e të tjera me radhë janë të administruara ashtu siç administrohen provat në një vepër penale. Ajo që pason tani është hetimi”, u shpreh Lleshaj.

Ai kërkoi hetimin e thelluar të dokumentacionit, të përgjegjësive dhe ka dy kategori përgjegjësish këtu: "kemi kompanitë e ndërtimit ose ndërtuesit, të cilët kanë ndërtuar pallate me cilësi jo të përshtatshme; kemi ata që kanë ndërhyrë në pallate dhe i kanë kthyer ata në rrezik për qytetarët, dhe kemi edhe administratorët, kemi pjesë të administratës, të cilët kanë qenë rojet publike që këto gjëra të mos ndodhin". /a.y/noa.al/