Transmetuar më 02-12-2019, 17:53

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot pasdite një takim urgjent me ndërtuesit në Durrës, të cilëve iu tha se duhet të nisin urgjent punë, që të ngrenë kantierët, përndryshe paralajmëroi se ndaj tyre do të ketë masa të ashpra.

Shumë nga ndërtuesit e Durrësit dhe Tiranë janë fajësuar për cilësinë e dobët të ndërtesave, çka besohet e pati ndikim që tragjedia të merrte përmasa edhe më të mëdha, nga një prej fatkeqësive më të rënda natyrore që preku vendin tonë.

“Mendoj se për banesat janë të pabanueshme, ndërtuesit janë për privim lirie. Por gjykata do vendosë. Këta ndërtues ku ka dëme të mëdha për shkak të ndërtimit, Prokuroria t’i dërgojë në gjykatë. Në raste kur ka dëmtime, duhen bërë rikonstruksione. Aty ku ka dëme të riparohen. Nëse riparoni, do të qetësoni edhe ndërgjegjen tuaj", u tha kryeministri disa prej ndërtuesve.

Më tej ai u tha prerë atyre, e "po i bie shumë shkurt, se s’dua të bëj filma. Që nesër bashkia do jetë në dispozicionin tuaj, gati për të nisur punë".

"Ngrini menjëherë kantierët. Ne do vëmë njerëz mbi kokë, ju jeni në rregull. Kush tërhiqet nga kjo punë, do të jem unë dëshmitar. Ua keni detyrim popullit, ua keni për detyrë fëmijëve tuaj t’ua lini emrin pa njollë”, u tha Rama ndërtuesve./NOA.al