Transmetuar më 02-12-2019, 17:16

OPINION nga Artan Fuga

Unë e kuptoj që ne nuk kemi mundësi parashikimi të ardhjes të të tërmeteve (nuk më pëlqen termi "rënie tërmeti", si bie?) sikurse nuk e dimë dot se kur mbërrin autobusi i Kamzës ose ai i QUT në qendër.

Rrëmujë hesapi.

Por, këtë e gëlltisim ndonëse modelet parashikuese të dukurive të natyrës janë të shumta dhe të niveleve të ndryshme. Ne nuk dimë se kur do të bjerë rrufeja, por që koha do të prishet dhe rreziku i elektricitetit në ajër vjen shpërthyes si rrufe, këtë probabilisht mund t’a dimë.

Por pasi bie rrufeja ne mund t’a dimë se përse ra rrufeja. Të dimë nga erdhën ngarkesat elektrike, etj.

Ne nuk e parashikojmë me saktësi kur vjen në qendër autobuzi i Senatoriumit, por kur ai vonohet, më pas ne mund të analizojmë se përse u vonua.

Pra, tjetër është aftësia parashikuese dhe tjetër ajo e analizës post-factuum, pra pasi ngjarja e paparashikuar të ketë ndodhur.

Mirë parashikimin që nuk e bëjmë dot, nuk kemi këllqe, po shkaqet e lëkundjeve sizmike nuk e gjejmë dot? Pra, pasi ato po na dërmojnë, lodhin, shkërmoqin shtëpitë, banesat, ndërtesat?

Cilat shtresa lëvizin?

Ku?

Pse?

Përse kryesisht në zonën Durrës – Lezhë – Tiranë?

Përse vazhdojnë kaq gjatë, ditë me radhë?

Përse me një aktivitet sizmik pak më të ulët, por përsëri që ka mbetur disi i qendrueshëm?

Cilat shtresa lëvizin?

Çfarë lidhje kanë me detin?

Se tërmet si ky që vazhdon një javë rresht dhe nuk thyen qafën i flamosuri sikur nuk kemi parë më parë! E ka zënë me ne shqiptarët dhe po na provon trimëri, burrëri, durime kurajo!

Çfarë të bëjmë? Do ta përballojmë!

A kemi sizmologë?

Se ne merremi me pasojat. Shumë mirë bëjmë, por ku janë gjeologët, sizmologët?

Ku shkoi ai dijetari grek? Veç ta dekoronim për parashikim-paralajmërimin e bërë, a nuk e mbanin dot atë apo të tjerë të huaj që të na jepnin përgjigjet e pyetjeve sa më sipër?

Ose të debatonin?

Nuk fton dot Akademia e Shkencave dhjetë ose njëzetë specialistë të këtyre fushave nga qendrat më të njohura në botë për survejimin e qendrave të aktivitetit sizmik për të na ndriçuar sadopak?

Çdo institucion duhet të bëjë detyrën e vet sepse gjëja më thjeshtë që në vend të bësh detyrën tënde shkon kap një lopatë dhe gërmon dheun, ndërkohë që paguhesh për gjë tjetër.

Nuk e bën dot Universiteti Politeknik?

Përndryshe çfarë t’i duam alibitë.

Çfarë t’a duam shkencën nëse nuk e kërkojmë ndihmën e saj sot? Tani, këtu, urgjent.

Sepse aty është rrënja e problemeve, aty dimë se çfarë na duhet të përballojmë. Kështu i ngjajmë një të sëmuri që pret goditjen tjetër ta zemë një krizë veshkash, e qetësojnë me medikamente, por shkakun e krizës nuk ja gjejnë.

E morëm vesh që kush guxon të parashikojë dukuri të natyrës shpallet "idiot" nga Piramida, por kur kërkon të analizohen shkaqet e tyre edhe atëherë "idiot" je?!

Sepse duket që fatalisht presim goditjen e radhës sikur "dikush" na "rreh me kamzhik", na "godet me tokmak" në mosnjohje absolute.

Sigurisht që edhe po i njohim shkaqet nuk i parandalojmë dot nëse janë madhore, por ndërkohë dija siguron, qetëson, drejton menaxhimin e pasojave.

Dije që na duhet edhe për më pas! Të dimë nga na vjen rreziku.

Po shoqëritë e sigurimeve të pasurive të paluejtshme nuk janë të interesuara për këtë analizë?

Mos e famshmja ndjenjë pritjeje dhe fatliste lindore na ka mbërthyer dhe nuk duam të dimë shkaqet e asaj që ndodh!/NOA.al