Transmetuar më 30-11-2019, 00:03

Solidariteti dhe forca e bashkimit në momente të vështira bëri bashkë shqiptarët anembanë botës, për të lehtësuar sadopak dhimbjen që la pas një ndër katastrofat më të rënda natyrore, në vendin tonë.

Mediat më prestigjioze botërore, i kanë kushtuar rëndësi edhe faktit që jo vetëm shqiptarët e zakonshëm, por edhe këngëtaret shqiptare me famë botërore, janë prekur dhe kanë shprehur solidaritet duke bërë thirrje për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti tragjik.

Yjet e muzikës britanike me origjinë-shqiptare, Dua Lipa dhe Rita Ora, si dhe këngëtarja amerikane Bebe Rexha, postuan mesazhe mbështetjeje pasi numri i të vdekurve si pasojë e tërmetit tragjik është alarmant.

Yjet e popit botëror me origjinë shqiptare Dua Lipa, Rita Ora dhe Bebe Rexha kanë ndarë mesazhe mbështetjeje me Shqipërinë në mediat sociale, pas tërmetit vdekjeprurës, i cili la 49 viktima.

Mesazhet e tyre përkuan me ditën e pavarësisë së Shqipërisë.

Rita Ora, e cila ka lindur nga prindërit shqiptarë, postoi një imazh të saj në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, së bashku me një foto të një familjeje, që po ndihmon për të rindërtuar shtëpinë e tyre.

"Unë sugjeroj që kushdo që mundet, ju lutemi të gjeni një familje ose një mënyrë për të bërë bamirësi ose për të ndihmuar në rindërtimin e shtëpive të viktimave të fatkeqësisë. Familja e parë që kam zgjedhur është familja Sala, dhe ne do të ndjekim familje të tjera që kanë nevojë për të njëjtën ndihmë,” shkroi Ora.

Dua Lipa, 24 vjeç, lindi në Londër nga prindërit kosovarë-shqiptarë.

“Si gjithmonë ne jemi të gjithë të bashkuar dhe të gjithë jemi duke kërkuar mënyrat më të mira për të ndihmuar familjet e prekura, fëmijët që humbën prindërit e tyre, prindërit që kanë humbur fëmijët e tyre dhe miqtë që kërkojnë të gjejnë njëri-tjetrin dhe të jenë pranë të dashurve të tyre," shkroi Lipa në një postim në Instagram.

Së bashku me dhurimet personale, ajo tha se do të punojë me stilistë shqiptarë në një projekt për të mbledhur fonde për viktimat e tërmetit.

“Ne kemi dëshmuar se jemi të fortë dhe në momente si kjo ne bashkohemi si një komb mes vëllezërish dhe motrash të bashkuar", tha ajo.

Në vitin 2018, ajo themeloi një festival muzike në Kosovë, me artistë vendas dhe yje ndërkombëtarë duke përfshirë Miley Cyrus.

Bebe Rexha tha se ajo do të vizitojë Shqipërinë për t’iu dhënë njerëzve ushqim, ujë dhe për të ndihmuar në rindërtimin e shtëpive të tyre.

“Shumë nga ju djema mund ta dinë që familja ime dhe unë jemi shqiptarë, kështu që vendosa të ngre një llogari GoFundMe për të ndihmuar të gjithë ata njerëz që kanë nevojë," tha ajo të enjten.

Fushata e saj ka mbledhur menjëherë 58,227 dollarë.

“LUTEMI PËR SHQIPËRINË. Unë personalisht do të fluturoj për në Shqipëri për t’u siguruar që paratë janë vënë në përdorim të mirë. Dhuroni këtu nëse mundeni https://ëëë.gofundme.com/f/after-the-earthquake-help-albania…”

Ndërkohë përpjekjet e kërkimit-shpëtimin vazhduan në Shqipëri edhe të premten deri vonë, pas tërmetit të së martës, i cili është pasuar nga më shumë se 500 tërmete që kanë tmerruar banorët.

Shqipëria, e cila nuk kishte përjetuar një tërmet vdekjeprurës që nga viti 1979, nuk ishte edhe aq e përgatitur për katastrofa të tilla.

Italia, Greqia, Rumania dhe vende të tjera kanë dërguar ekipe kërkimi për të kërkuar të mbijetuarit, të ndihmuar nga ushtria shqiptare dhe grupe të tjera kërkim shpëtimi.

Sfidë për momentin është strehimi i atyre që mbetën pa shtëpi, ose banesat e tyre nuk paraqesin siguri pas tërmetit që tronditi vendin tonë./NOA.al