Transmetuar më 23-11-2019, 19:14

Pas humbjes në Korçë, trajneri i Tiranës ka vendosur të japë dorëheqjen nga drejtimi i ekipit.

Ahmataj nuk e ka kaluar mirë humbjen përballë Skënderbeut dhe ka marëë vendimin për t’u larguar.

“Ishte zhgënjim rezultati nga dy tranzicione të shpejta. Ishim në superioritet numerik dhe të vjen keq sepse prishin çdo gjë. Sado mundohemi të mbajmë skuadrën në ekuilibër, ne nuk godasim portën.

Duhen rregulluar këto gjëra. Në këtë ambient sa të vendoset një trajner mendohet për ta hequr. Kam paraqitur dorëheqjen te presidenti. E kam thënë edhe për trajnerin e mëparshëm”, u shpreh Ahmataj për Supersport.

Kritik me lojtarët, ai thotë se është e papranueshme që të pësosh sa herë kundërshtari të godet portën.

“Të pësosh dy gola me një kundërshtar që godet 3 herë dhe kemi superioritet numerik, më shqetëson dhe më ka prerë hovin për të vazhduar. Nuk është gjendje emocionale por fakt. Nuk mund të vazhdohet në këtë ambient. Nuk ka lidhje me ndeshjen por me fenomenin. Atë që ndodh në fushë dhe jashtë saj. Asgjë nuk funksionon. Asnjë goditje standarde e rregullt”.

Si trajner, Ahmataj deklaron se mban përgjegjësitë e veta.

“Trajneri mban përgjegjësitë e lojës dhe unë mbaj përgjegjësitë e mia. Nuk mbahet vendi i punës me zor, nuk mbahet. Lojtarët kanë dhënë më të mirën. Mora riskun dhe po largohem që gjërat të rregullohen. Te Tirana sapo vendoset një trajner mendohet për t’u hequr.

Në qoftë se gjërat nuk rregullohen brenda konturit që unë shoh…nuk e shoh veten më pjesë të këtij klubi. Jam unë përgjegjësi, unë u dhashë dorën lojtarëve dhe u thash që kanë dhënë maksimumin në këtë ndeshje. Unë nuk e mbaj një vend pune kur puna nuk bëhet siç dua unë. Nuk jam mësuar ndryshe. E njihja këtë ambient por nuk arrija dot që të kuptoja që gjërat ishin në këtë stad. E marr unë mbi shpinë tërë riskun dhe të ndryshojnë gjërat në të mirë të klubit”, tha Ahmataj. /k.k/noa.al/