Djegia e plehrave, kostot e inceneratorit Tiranë rriten me 104 milionë euro
Transmetuar më 23-11-2019, 07:43

Inceneratori i Tiranës, KLSH zbulon se defektet në kontratë do t’u kushtojnë taksapaguesve edhe 104 milionë euro shtesë, duke e rritur koston me të paktën 27% nga vlerësimi fillestar. Buxheti ka planifikuar tashmë rritjen e pagesave vjetore për 2021-2022 në 9.4 milionë euro, nga 7.4 milionë që ishte parashikimi fillestar

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim për Inceneratorin e përpunimit të mbetjeve të Tiranës, ka zbuluar problematika dhe mangësi në drejtim të përballueshmërisë, përllogaritjes së kostove, realizueshmërisë dhe risqeve të marra përsipër nga sektori publik dhe në veçanti, për Buxhetin e Shtetit.

Vetëm nga indeksimi i inflacionit dhe mosllogartitjes së saktë të volumit të plehrave që përpunohen në ditë, shteti rrezikon të paguajë edhe 104 milionë euro shtesë, nga të cilat gati 78 milionë euro janë indeksim i inflacionit, që e merr përsipër shteti dhe pjesa tjetër, si rrjedhojë e llogaritjes së ulët të kufirit minimal të sasisë së mbetjeve ditore të garantuara. Këto i shtohen vlerës fillestare të kontratës prej 222.7 milionë eurosh pa TVSH, ose 267 milionë euro me TVSH, duke e çuar në total koston në të të paktën 370 milionë euro, ose 27% më të lartë sesa vlerësimi fillestar.

Parashikimet në kontratë

Në fund të vitit 2016, kompania “Integrated Energy B.V.” sh.p.k. fitoi koncesionin e ndërtimit të Landfillit, Inceneratorit dhe rehabilitimi i vend-depozitimeve ekzistuese Tiranë. Projekti koncesionar/PPP i paraqitur ka parashikuar kryerjen e pagesave për ofrimin e shërbimit në shumën 7.4 milionë euro në vit pa TVSH, nëpërmjet garantimit të një minimumi ditor prej 700 tonë/mbetje në ditë me tarifë prej 29.05 euro/ton, që për të gjithë kohëzgjatjen e koncesionit parashikohen në shumën 222.7 milionë euro pa TVSH.

Këto pagesa, sipas studimit të fizibilitetit dhe kërkesës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE) për parashikimin në tavanet buxhetore, janë të detajuara në shumën 130.9 milionë euro mbështetje nga qeveria shqiptare dhe 91.8 milionë euro pa TVSH nga buxheti i bashkive në përbërje të Qarkut të Tiranës, për të gjithë kohëzgjatjen 30-vjeçare, sipas raporit. Në kontratë parashikohet minimum i garantimit ditor si dhe neni që çmimi indeksohet me inflacion të cilave u është bashkangjitur propozimi financiar.

Në lidhje me sasinë minimale të garantuar, në studimin e fizibilitetit është përcaktuar kompensimi prej 700 tonë mbetje/ditë minimalisht. Në këtë mënyrë, i gjithë risku i kërkesës është transferuar në sektorin publik, duke garantuar kthimin e investimit, edhe nëse nuk realizohet sasia minimale ditore e garantuar. KLSH thekson se rasti i tejkalimit të kësaj sasie e vendos në risk thelbësor Buxhetin e Shtetit në lidhje me pagesat e nevojshme përtej nevojës së planifikuar, si dhe rrit fitimet koncesionarit në mënyrë të pakufizuar.

Nga auditimi konstatohet se MFE nuk ka marrë asnjë masë për sa i përket këtij risku për Buxhetin e Shtetit, duke miratuar studimin e fizibilitetit që nuk parashikon asnjë efekt financiar të këtyre skenarëve të mundshëm. Sasia prej 700 tonë në ditë është ngjarje e sigurt, thotë KLSH, pasi ajo është arritur që në 2014, sipas të dhënave zyrtare.

Në këto kushte, konstaton KLSH, ky “risk” i tejkalimit të sasisë së projektuar të mbetjeve, i cili realisht ka ndodhur që në fazën e hartimit të studimit, ka transferuar në Buxhetin e Shtetit pagesa të nevojshme për ekzekutimin e kontratës mbi parashikimet jo realiste që janë kryer, duke shfaqur diferenca ndërmjet supozimeve në analizën ekonomike dhe financiare dhe treguesit teknikë të projektit mbi bazën e të dhënave historike. Këto pagesa më të larta, si rrjedhojë e sasisë së mbetjeve, përkthehen në fitime më të larta se ato të kërkuara për koncesionarin dhe në të njëjtën kohë edhe në kosto më të lartë për shërbimin për financat publike. KLSH llogarit një efekt prej rreth 26 milionë eurosh nga tejkalimi i sasisë së projektuar të mbetjeve.

Një tjetër element që rrit kostot për buxhetin është ai i inflacionit. Sipas raportimit të bërë në studimin e fizibilitetit, konstatohet se ky risk është parashikuar të merret përsipër nga sektori publik, nëpërmjet indeksimit të pagesave të koncesionit. Nga auditimi konstatohet se nga ana e MFE nuk është marrë asnjë masë për shmangien e këtij risku, duke qenë se është miratuar studimi i fizibilitetit që përfshin mbartjen e këtij risku nga sektori publik, duke lejuar mundësinë e rritjes së pagesave të nevojshme nga Buxheti i Shtetit për realizimin e këtij projekti koncesionar.

KLSH llogarit që vetëm nga mbartja e riskut të inflacionit për Buxhetin e Shtetit, efekti total në pagesat e nevojshme nga Buxheti i Shtetit nuk do të ishte 222,668,250 euro, por 301,107,440 euro, me një diferencë prej 78,439,190 euro më shumë të pa marrë në analizë dhe që do t’i paguhen koncesionarit për ofrimin e shërbimit me tarifa jo transparente dhe të paraportuara.

Buxheti i ka rritur tashmë pagesat

Të dhënat që “Monitor” pa në projektbuxhetin e vitit 2020, të publikuar nga Ministria e Financave, tregojnë se tashmë buxheti parashikon që të paguajë më shumë sesa planifikimi fillestar. Sipas tabelave të projektbuxhetit, për periudhën 2018 – 2020, pagesat për inceneratorin e Tiranës do të jenë rreth 998 milionë lekë në vit (rreth 8 milionë euro), ndërsa për periudhën 2021-2022 këto pagesa rriten në 1.2 miliardë lekë (rreth 9.4 milionë euro). Kjo shumë është rreth 27% më e lartë se pagesa prej 7.4 milionë eurosh në vit që ishte parashikuar në fillim (koment i “Monitor”).

Kostot e fryra

KLSh, nga auditivi, ka konstatuar se nuk ka asnjë argumentim në studimin e fizibilitetit në lidhje me kostot e konsulencës (2,115,000 euro), telekomunikacionit (507,600 euro) dhe mbi të gjitha, të shpenzimeve të tjera administrative, të cilat janë paraqitur në vlerën 58,556,632 euro). Përfshirja e kostove administrative në masën 20% të vlerës totale të kostove të operimit të paargumentuara dhe të pambështetura paraqet dyshime në lidhje me fluksin dalës të projektuar për to me ndikim të drejtpërdrejtë në vërtetësinë e llogaritjeve të kryera për përcaktimin e tarifës së ofrimit të shërbimit.

Nga auditimi në lidhje me këtë projekt koncesionar, studimit të fizibilitetit, korrespondencës ndërmjet institucioneve të përfshira në projekt dhe atyre që duhet të ishin përfshirë, bazuar në kriteret e auditimit, konstatohen disa problematika dhe mangësi në drejtim të përballueshmërisë, realizueshmërisë dhe risqeve të marra përsipër nga sektori publik dhe në veçanti, për Buxhetin e Shtetit.

Në projekt nuk është e qartë se si do të paguhet për shpronësimin e 40% të sipërfaqes që është në pronësi të privatit. Këto kosto nuk ishin pjesë e analizës ekonomike dhe financiare të studimit të fizibilitetit. Kjo ka çuar në përdorimin e fondit rezervë të Buxhetit të Shtetit në vitin 2018, sipas VKM nr. 811, datë 26/12/2018 për përballimin e kostove të shpronësimit të inceneratorit. KLSH thotë se studimi i fizibilitetit nuk paraqet asnjë informacion në lidhje me shpërndarjen e kostove të investimit, të operimit dhe flukseve hyrëse nga shitja energjisë, skrapit apo tarifave të paguara nga sektori publik sipas viteve respektive.

Financat ranë dakord vetëm pasi morën konfirmim me shkrim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës

Projekti i inceneratorit të Tiranës, me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim i vend-depozitimeve ekzistuese Tiranë”, përfshin një procedurë me propozim të pakërkuar për një periudhë 30–vjeçare për financimin, investimin, operimin dhe transferimin.

Raporti i KLSH-së zbulon se fillimisht, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pasi i është paraqitur projekti nga Ministria e Mjedisit, në fund të vitit 2016, ka kërkuar informacion shtesë lidhur me argumentet se pse dhënia e projektit me koncesion paraqet vlerë më të mirë për para, në krahasim me metodën e prokurimit publik. Financat kanë konstatuar se projekti koncesionar nuk rezulton i planifikuar brenda tavaneve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Mjedisit, sipas pagesave të parashikuara në studimin e fizibilitetit për një periudhë 30-vjeçare nga Qeveria Shqiptare, në shumën 130,883,750 euro pa TVSH dhe nga buxheti i bashkive 91,784,500 euro pa TVSH.

Ministria e Mjedisit ka kthyer përgjigje, duke argumentuar mundësinë e sigurimit të fondeve nga sektori privat (sektori publik është në pamjaftueshmëri fondesh për sigurimin e fondeve për financimin e objektit), aftësitë më të specializuara teknike të sektorit privat, transferimi i një pjese të risqeve të sektori privat, etj. Për mosplanifikimin e projektit brenda tavaneve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Mjedisit, argumenti ka qenë se, për këtë rast, nuk paguhet koncesionari nga Ministria e Mjedisit, por qeveria subvencionon Bashkinë e Tiranës për pjesën e detyrimeve që lindin ndaj shoqërisë për menaxhimin ton/mbetje.

Pas këmbënguljes së financave që ka kërkuar të planifikohet brenda tavaneve buxhetore vjetore të Ministrisë së Mjedisit të miratuar nga Kuvendi, -Ministria e Mjedisit u përgjigj se nuk do të ketë asnjë financim apo mbulim të detyrimeve të impiantit (privati do ta financojë me fondet e veta) dhe se Bashkia e Tiranës, si autoriteti më i madh i përdorimit të impiantit, do të përballojë shpenzimet e depozitimit të mbetjeve dhe të shpronësimit të tokës me anë të grantit të pakushtëzuar nga qeverisja qendrore, e cila nuk ka tavan të miratuar nga Kuvendi.

Financat kanë kërkuar miratim nga Qarku i Tiranës dhe nga ana e Ministrisë së Mjedisit është paraqitur bashkëngjitur kopje e shkresës së dakordësisë së Kryetarit të Bashkisë së Tiranë, mbi bazën e studimit të fizibilitetit. Në shkresën nr. 3275/1 prot. Bashkia e Tiranës, datë 27/03/2017, në lidhje me dakordësinë është parashtruar që “…Bashkia e Tiranës shprehet parimisht dakord për sa i përket rolit të saj referuar Studimit të Fizibilitetit…”

Bazuar në këto sqarime shtesë, nga ana e MFE me shkresë nr. 13118/9 prot. MFE, datë 06.04.2017 i është kthyer përgjigje Ministrisë së Mjedisit, në të cilën është cituar që shprehet pa komente për sa kohë që financuesi dhe përfituesi kryesor i projektit është Bashkia e Tiranës, e cila ka shprehur parimisht dakordësinë (këto terma nuk njihen nga VKM nr. 575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/Partneritet Publik-Privat” i ndryshuar).

Por, KLSH ka sqaruar se konstatimi i bërë nga ana e grupit të auditimit lidhet me nevojën për miratim të buxhetit, ndërkohë që observacionet janë paraqitur mbi përgjegjësinë që kanë njësitë e vetëqeverisjes vendore për menaxhimin e mbetjeve. Në këtë drejtim, duke qenë se projekti koncesionar përfshin përdorimin e fondeve të njësive të vetëqeverisjes vendore të të gjithë Qarkut të Tiranës (duke qenë se analiza në studim fizibiliteti është kryer mbi të dhëna të gjeneruara për këtë Qark), marrja e dakordësisë/miratimit duhet të përfshinte të gjitha ato autoritete publike të cilat janë të përfshira në këtë projekt. MFE nuk mund të miratojë një projekt për të cilin nuk është paraqitur përfshirja në buxhetin e miratuar të njësive të vetëqeverisjes vendore të fondeve që implikojnë zbatimin e projektit, thekson KLSH.

KLSH ka arritur në konkluzionin që projekti koncesionar/PPP nuk është kundërshtuar nga ana e MFE, megjithëse kostot e shpronësimit dhe pagesat e disponueshmërisë nuk kanë qenë të parashikuara në tavanet e shpenzimeve për pjesën e financuar nga qeverisja qendrore për njësitë e vetëqeverisjes vendore të Qarkut të Tiranës. Projekti është miratuar, megjithëse shuma e parashikuar dhe mënyra e pagesës së mbështetjes financiare ka qenë e papërballueshme.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë “është shprehur pa komente” për projektin koncesionar/PPP dhe nuk e ka kundërshtuar projektin, megjithëse nuk ka pasur konfirmim nga ana e njësive të tjera të vetëqeverisjes vendore të prekura nga ky projekt, në lidhje me garantimin e sasisë minimale të mbetjeve të trajtuara që do të trajtohen nga projekti.

Studimi i fizibilitetit i ka ndërtuar të gjitha supozimet në lidhje me sasinë e mbetjeve të trajtuara nga Qarku i Tiranës, ndërkohë që miratimi është marrë vetëm për Bashkinë e Tiranës, me dakordësinë në parim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. Për rrjedhojë, pagesat e nevojshme për realizimin e shërbimit janë ekspozuar përballë riskut të kërkesës, duke krijuar mundësinë e pagesave për pjesën e kompensimit të sasisë minimale të garantuar, në rast se ajo nuk arrihet sipas parashikimeve.

KLSH konkludon gjithashtu që projekti koncesionar/PPP nuk është kundërshtuar nga ana e MFE, megjithëse në studimin e fizibilitetit janë pasqyruar gabime në drejtim të vlerave të deklaruara për t’u investuar, përcaktimi i tarifës së shërbimit mbi të cilat do të llogariten pagesat nga Buxheti i Shtetit është kryer duke abstraguar nga vlera në kohë e parasë, janë pasqyruar gabime në drejtim të kostos për njësi të tonazhit të disponueshëm, janë konstatuar diferenca në treguesit e vlerës në kohë të parasë (NPV, IRR) dhe disa nga kostot e operimit të projektuara në flukset e nevojshme për projektin janë të paargumentuara.

Çmimi i shitjes së energjisë

Në studimin e fizibilitetit, është projektuar sigurimi i të ardhurave nga shitja e energjisë së prodhuar nga trajtimi i mbetjeve në shumën 133,546,693 euro, me çmimin e parashikuar për t’u shitur prej 70 euro/MWH. Në dokumentacionin shoqërues të paraqitur për miratim nuk disponohet asnjë evidencë që justifikon aplikimin e çmimit të shitjes prej 70 euro/MWH dhe nga ana tjetër, nuk ka asnjë marrje konfirmimi nga autoritetet publike përgjegjëse për politikat e energjisë. Projektimi i këtij fluksi hyrës është me efekt të përgjithshëm në secilin prej viteve në të cilat është planifikuar që të prodhohet energji dhe njëkohësisht, në përcaktimin e çmimit për njësi për trajtimin e mbetjeve.