Shpërndanin drogë në zona të Greqisë, katër shqiptarë në pranga
Transmetuar më 19-11-2019, 18:12

Katër shqiptarë dhe një grek janë arrestuar nga autoritetet e vendit fqinj në Atika dhe Korint, të cilët ishin pjesë e një grupi trafikantësh droge.

Bëhet me dije se shqiptarët janë të moshave 29, 35, 36 dhe 37 vjeç, ndërsa shtetasi grek është një 16-vjeçar.

36-vjeçari shqiptar mësohet se ishte “koka” i këtij grupi, i cili siguronte lëndën narkotike dhe shpërndarjen më pas në zona të ndryshme.

Anëtarët e tjerë të grupit ishin përgjegjës për ruajtjen dhe trajtimin e sasive të kanabisit të papërpunuar, ndërsa në banesën e të miturit fshihej lënda narkotike.

Pas kontrolleve në automjetin e 36-vjeçarit dhe në një shtëpi në Korintin e Vjetër, u gjetën dhe u sekuestruan 560 kilogramë kanabis, euro, automjete dhe aparatë celularë.

Sipas përllogaritjes, nga shitja e drogës grupi do të përfitonte 840 mijë euro. /k.k/noa.al/

Loading...
Loading...