Transmetuar më 19-11-2019, 16:15

Arta Marku ka ankimuar vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që e renditi atë të dytën në listën e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

Fillimisht u tha se Marku nuk do ta ankimonte vendimin. Por në ditën që është bërë dorëzimi zyrtar në Kuvend i kandidaturave prokurorja e përgjithshme në detyrë, vendosi të ankimonte vendimin, me pretendimin se ajo duhej të rënditej e para.

Prokurorja e përgjithshme e përkohshme u rendit e dyta me 406 pikë.

Në vend të parë u rëndit Olsian Çela me 459 pikë dhe e fundit Fatjona Memçaj me 362 pikë.

Më 14 nëntor, KLP miratoi me shumicë votash pr/vendimin për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm me mandat kushtetues, duke ia dërguar propozimin për votim Kuvendit.

Kuvendi pas marrjes sot të propozimit, ka 30 ditë kohë të votojë prokurorin e përgjithshëm.

Nëse dështon votimi në Kuvend, emërimin e bën KLP. Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëron kandidatin që kryeson listën për prokuror të përgjithshëm.