Transmetuar më 19-11-2019, 14:15

Bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari, shprehet kundër propozimit të opozitës së bashkuar për të financuar 100% nga paratë e buxhetit të shtetit partitë politike dhe fushatat zgjedhore. Duke folur për gazetarët pas tryezës teknike të organizuar nga OSBE për reformën zgjedhore, Hajdari thotë se kjo do të ishte një barrë e madhe për buxhetin e shtetit.

“OSBE është shprehur gjithmonë e gatshme për të na ndihmuar, por edhe ekspertët që ishin aty. Propozimet nga opozita parlamentare dhe jashtë parlamentare ishin konkrete. Ndryshe nga më parë, jemi të kënaqur që opozita jashtë parlamentare qëndroi deri në fund, pasi komunikim me zotin Kaso. Financimi 100% është një nga propozimet e tyre kyçe, por t’u kërkohet shqiptarëve të paguajë për partitë  nuk është e drejtë. Mund të krijojë një treg të zi akoma më problematik. Duhet të ketë një vullnet të qartë për këtë propozim, nëse nuk bëhet do ta thellonim krizën për infiltrimin e lekëve të pista. Duhet të jemi më realist dhe konkret, mos i kërkojmë shqiptarëve të financojnë edhe buxhetin për partite”, u shpeh Hajdari.

Më tej ajo theksoi se, “Ne duam vërtetë një reformim zgjedhor tërësor, por ndryshimi i sistemit është ai që do të zbuste rolet e kryetarëve të partive. Ligji i partive politike me përmirësime të mira për financimin e zgjedhjeve nuk i zgjidh të gjitha problemet tona. Kemi mbështetje nga shoqëria civile për ndryshimin e sistemit, dhe nëse është e nevojshme do ta çojmë deri në referendum. Ne jemi të vetëdijshëm që partitë kryesore nuk duan ndryshimin e sistemit. Referendumi është i vështirë, por ndoshta edhe me mbështetjen e Presidentit mund ta realizojmë”.

Më herët Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, deklaroi se ekspertët ndërkombëtarë nuk e kundërshtuan këtë propozim.

“Ekspertët ndërkombëtarë kanë ilustruar këndvështrimet e tyre lidhur me pikat e dobëta për financimin e partive. Nuk ka pasur asnjë mbyllje të tyre ndaj propozimit tonë për financim 100% nga shteti dhe kriminalizimin e fondeve private”, tha Kaso./b.l/na.al/.