Transmetuar më 19-11-2019, 11:10

Lavdije Buzheri nga Kordhoca e Lazaratit ka përfunduar në spital me dëmtime në kokë e trup pasi është dhunuar nga nipi i burrit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Lazarat. Shtetasja e dhunuar mësohet se është biznesmene dhe dhuna ka ndodhur pas një konflikti verbal që ajo ka pasur me autorin.

Mësohet se biznesmenia Buzheri u dhunua nga Alfons Buzheri, i cili ka qenë i dënuar në 2004 për kundërshtim të forcave të policisë, pasi i ka qëlluar me armë, edhe për kultivim të bimëve narkotike, por që ka dalë nga burgu prej dy vitesh.

Biznesmenja tregoi se gjithçka ndodhi në prezencë të vëllait të Alfonsit dhe një polici që ndodhej aty, të cilët nuk bënë asgjë për ta ndihmuar. Madje polici ndihmoi dhunuesin të ndalonte gruan që të largohej nga zyra.

“Më kapi më mbërtheu dhe më kërkoi të dal jashtë. I thashë nuk po bëj asgjë të keqe, thjesht jam në punën time, në zyrën time. Filloi të më qëllojë, të më zhveshë rrogat, të mi grisë. Qëlloi ku të mundte me shqelma, me grushte. Në prezencë ishte edhe vëllai i tij, i cili bënte sehir sesi ai më qëllonte, më dhunonte.

Më qëlloi sa më qëlloi, pastaj mora telefonin që të merrja policinë, por ma bëri copë-copë. Ai doli jashtë të fliste në telefon, ndërsa unë mora rrobat të shqyera, i vesha dhe dola jashtë. I foli policit të më mbyllte derën që të mos dilja jashtë. Më mbërtheu prapë, por arrita të ikja dhe dola tek dera.

Pastaj së bashku me policin zunë derën, tentova të hap derën por nuk e hapën. Nga tronditja më ra të fikët, nuk e di çfarë ndodhi më pas. U zgjova pasi më hodhi ujë dhe e hapi derën. Siç isha në atë gjendje ngrihem dhe iki në shtëpi”, u shpreh Buzheri.