Transmetuar më 18-11-2019, 19:46

“Më lini të qetë”! Kështu u është përgjigjur gazetarëve kreu i Prezëncës së OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt lidhur me refuzimin që i bëri kreu i shtetit Meta për të shkuar në Presidencë.

Ai u pyet nga gazetarët pas takimit të aleatëve opozitarë në selinë e PD-së, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori.

“Nuk komentoj asgjë, OSBE është organizatë legjitime. Më lini të qetë”, u shpreh ai.

Më herët, Presidenti Ilir Meta ka shpallur të padëshirueshëm ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt.

Në letrën dërguar Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagen, Meta shkruan  se Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchadt nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit.

Lajmi konfirmohet përmes një shkrese, që kreu i shtetit i ka dërguar  ditën e sotme, Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE në Kopenhagen, asaj në Tiranë por edhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit pranë MEPJ në Tiranë.

“Bernd Borchardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajt qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë, nuk është i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës”, thuhet në kërkesën e Presidentit, Ilir Meta. /k.k/noa.al/