Transmetuar më 18-11-2019, 17:39

Bashkimi Europian bën thirrje që të marrë fund ngërçi i krijuar për Gjykatën Kushtetuese, dhe palët të gjejnë një zgjidhje.

Madje zëdhënësja e BE-së, Maja Koçijançiç e sheh si mundësi edhe dërgimin e kësaj çështjeje në Komisionin e Venecias.

Reagimi i Koçijançiç:

Reforma në drejtësi e miratuar unanimisht nga Parlamenti me ndryshimet kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016 kishte konceptuar renditjen teknike nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kufizimin e diskrecionit të organeve të emërimit me tre kandidatët e parë më të kualifikuar, si dhe zbatimin e mekanizmit zhbllokues pas skadimit të një afati 30-ditor, si mjete të rëndësishme për të forcuar parimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe parimet e objektivitetit, meritokracisë dhe vazhdimësisë institucionale në lidhje me emërimin e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë.

Një interpretim që nuk i pranon këta elementë thelbësorë të mekanizmit të emërimit, siç përcaktohet në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse, vë në pikëpyetje parimin e shtetit të së drejtës.

Nuk i takon Bashkimit Evropian të vlerësojë përputhshmërinë e hapave të ndërmarrë në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse.

Në të njëjtën kohë, është thelbësore që ky konflikt interpretimi të zgjidhet me urgjencë, duke marrë parasysh dispozitat dhe frymën e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016, për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të bëhet plotësisht funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale që mund të vendosë mbi këtë interpretim të papajtueshëm, rekursi për një mendim të Komisionit të Venecias duket si një zgjidhje efektive për ta trajtuar këtë situatë si një çështje me përparësi.

Kur u duk se pas dy vitesh në harresë Gjykata Kushtetuese po shkonte drejt riformimit, në sfond është shfaqur përplasja mes presidencës dhe Parlamentit.

Kreu i shtetit pretendon se nuk është respektuar radha për zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses, ndërsa mazhoranca artikulon se Presidentin ka shkelur afatet.

Madje për këtë është ngritur edhe një padi për kreun e KED-së, Ardian Dvorani. /k.k/noa.al/