Transmetuar më 18-11-2019, 15:27

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i është rikthyer sërish përplasjeve të krijuara për Gjykatën Kushtetuese, ndërsa thotë se përgjegjësia kryesore për mashtrimet dhe vendimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi bien drejtpërdrejt mbi kreun e këtij institucioni, Ardian Dvorani.

Më tej, Petrit Vasili shkruan në “Facebook”  se të gjithë po përpiqen të shfajesojne Dvoranin,i cili sipas tij ka dhunuar Kushtetutën e vendit dhe ligjin.

“Përgjegjësia për palaçollëkun mashtrimit me vendimet e KED bie vetëm mbi Kryetarin! Të gjithë mafiozët e qeverisë dhe skllevërit diplomatikë, si pjesë e borderosë së saj janë pushtuar nga makthi se dështuan të kapin Gjykatën Kushtetuese. Të gjithë bashkë këta po shqyhen të shfajësojnë Dvoranin, që dhunoi Kushtetutën dhe ligjin dhe të fajësojnë KED që ka kryer me korrektesë detyrën”, shkruan Vasili.

Më tej ai shton se tentativa mafioze e Kryetarit të KED për të rrëmbyer të drejtën e zgjedhjes dhe për të detyruar presidentin të shkelte Kushtetutën duke zgjedhur sipas tij njëherazi dy anëtarë të gjykatës kushtetutese nuk ka shfajësim në botë përveç përballjes me drejtësinë.

“KED ka urdhëruar të zbatohet ligji dhe vendimet të publikohen në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, ndërsa Dvorani në funksion të pucit të kapjes kriminale të Gjykatës Kushtetuese e boton në Gazetën Zyrtare.

Këta nuk i duan anëtarët e Gjykatës Kushtetuese as me integritet dhe as që të kenë mbaruar magjistraturën, por vetëm ata që s’kanë marrë provimin dhe që janë “krenarë,” se betohen buzë Lanës. Këta i duan anëtarët e kushtetueses dele si deputetët e gjysmëkuvendit të shndërruar në Landfill. Koha e mafiozëve qeveritare dhe skllevërve diplomatikë ka mbaruar tani flet Kushtetuta e Shqipërisë sovrane”, tha Vasili./b.l/noa.al/