Transmetuar më 18-11-2019, 14:15

Gratë që përjetojnë menstrucionet që në moshë të re kanë më shumë të ngjarë të jenë mbipeshë dhe zhvillojnë sëmundje të zemrës, goditje dhe diabet në moshë të vjetër.

Këtë e demonstruan një ekip hulumtuesish të udhëhequr nga studiues të Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Australisë Perëndimore, i cili bashkëpunoi ngushtë me kolegë të Spitalit Royal Perth, Institutin e Fëmijëve Telethon dhe Departamentin e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në Universiteti i Melburnit.

Shkencëtarët, të koordinuar nga Profesori Chi Le-Ha, arritën në këtë përfundim pasi kishin analizuar statistikisht të dhënat e mbi 1.400 vajzave të përfshira në studimin e Pregnancy Cohort (Raine) të Australisë Perëndimore, një nga më të mëdhatë në botë që ndjek pjesëmarrësit nga një moshë shumë e re. Nga vajzat e përfshira 846 tashmë kishin përjetuar menstruacionin e parë – me një moshë mesatare të llogaritur në 12.7 vjet.

Duke kaluar të dhënat e mbledhura, del se për çdo vit para menarkës (menstrucioi i parë) vajzat kishin një indeks statistikisht më të lartë të masës trupore (BMI – Body Mass Index), për më tepër ato kishin më shumë të ngjarë të zhvillonin sindromën metabolike në 20 vjet. Me fjalë të tjera, sa më parë u shfaqën menstruacionet, aq më e madhe ishte pesha, që konsiderohej një nga faktorët kryesorë të rrezikut kardiovaskular dhe diabeti në moshën e rritur.

“Ciklet menstruale në moshë të re nuk duhet të konsiderohen në vetvete një shkak i çrregullimeve kardiovaskulare në pleqëri, është më shumë një reflektim i niveleve më të larta të yndyrës trupore gjatë fëmijërisë, gjë që nga ana tjetër çon në cikle të parakohshme menstruale, dhe për këtë arsye kjo mund të konsiderohet një ‘kambanë’ e mundshme për të adresuar problemet shëndetësore afatgjata”, tha një nga autorët kryesorë të studimit, Profesor Roger Hart.

Studiuesit tregojnë se puberteti femëror ndodh shumë më herët sesa në të kaluarën, me gjasë për shkak të stilit të jetës, faktorëve mjedisorë dhe substancave që merren me ushqim, dhe se kjo gjendje shoqërohet me sëmundje kronike që ndodhin në pleqëri.

Për shkak se sëmundja kardiovaskulare është shkaku kryesor i vdekjes për gratë (dhe burrat) në Perëndim, Hart dhe kolegët theksojnë rëndësinë e ndjekjes së një diete të shëndetshme dhe ushtrimeve nga mosha e hershme./b.l/noa.al/