Nga 200 euro për kokë për të kaluar kufirin, si u arrestuan katër persona në Korçë
Transmetuar më 18-11-2019, 12:48
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Korçës i koduar “Vishotica” ka vënë në pranga katër persona të cilët përkundër pagesës kalonin klandestinë të huaj drejt kufirit me Greqinë.

Të arrestuarit janë O.Z., 30 vjeç, banues në Tiranë, F.S., 39 vjeç, banues në Tiranë,  I.T., 47 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e krimeve kundër personit dhe organizimit të lotarive të palejuara dhe  E.R., 49 vjeç, banues në Korçë.

Arrestimi i tyre u bë pasi, u kapën gjatë natës mes të dielës dhe të hënës, në rrugën Trestenik-Vishoticë, duke transportuar me mjetet tip “Volkswagen Touareg” dhe “Mercedes-Benz”, disa shtetas të huaj, të cilëve iu kishin premtuar kalimin dhe transportimin e tyre drejt vendeve të Bashkimit Europian, kundrejt fitimit prej 200 euro secilit.

Nga ana e policisë, po punohet për të vendosur përpara përgjegjësisë ligjore edhe persona të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këtë ngjarje.

Sakaq lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al

Loading...
Loading...