Nga janari ulet taksa e rivlerësimit të shtëpive, përfitojnë 35 mijë prona
Transmetuar më 16-11-2019, 08:18

Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm qeveria do t’u japë mundësi qytetarëve që të rivlerësojnë pronat e patundshme me taksa të zbutura. Masa u shpall nga kryetari i komisionit të ekonomisë Arben Ahmetaj dhe ministrja e financave Anila Denaj.

Ministria e financave ka propozuar që taksa e rivlerësimit të jetë 3 për qind. Por si përfitojnë qytetarët nga kjo masë?

Sipas legjislacionit tatimor, shitja e një prone të patundshme në Shqipëri, qoftë kjo banesë apo tokë, i nënshtrohet taksës 15 për qind, e cila llogaritet mbi diferencën mes çmimit të shitjes dhe atij të blerjes.

Pra, nëse një individ e ka blerë një apartament 50 mijë euro para disa vitesh, por sot e shet atë 70 mijë euro, atëherë ai duhet të paguajë një taksë 15 për qind mbi diferencën e çmimit të shitjes me atë të blerjes. Në këtë rast kjo diferencë është 20 mijë euro dhe detyrimi tatimor që duhet të paguhet nga qytetari është 3 mijë euro.

Por ligji i ri që hyn në fuqi në një janar i jep të drejtën këtij individi, që ta rivlerësojë banesën me çmim tregu duke paguar jo 15 për qind por vetëm 3 për qind.

Pra për shembullin e mësipërm, taksa zbret nga 3 mijë euro që duhet të paguhej normalisht në vetëm 600 euro. Sipas propozimit të qeverisë rivlerësimi do të lejohet si për banesat ashtu edhe për trojet.

Loading...
Loading...