Transmetuar më 14-11-2019, 11:16

Nga Shkodra kryetari i konferencës ipeshkvnore të Shqipërisë, njëkohësisht arqipeshkvi i Tiranës George Frendo deklaroi se politika në Shqipëri duhet të mendojë më shumë për të mirën e përbashkët dhe jo për partitë e tyre.

Gjithashtu Frendo i bëri thirrje palëve politike që sa me shpejt te ulen ne dialog për te zgjidhur krizën politike sepse situata në Shqipëri po bëhet gjithnjë e me tragjike dhe kjo situate po nxit të rinjtë qe te largohen nga Shqipëria.

“Palët politike duhet të jenë të gatshme të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe jo të bëjnë një dialog karikature. Vendimi për mos hapjen e negociatave nuk na ka pëlqyer as ne, por ta marrim në aspektin pozitiv dhe të na shërbejë për të bërë një Shqipëri më të drejtë.

Martirët e kanë larë Shqipërinë me gjakun e tyre dhe bota ka nevojë për dëshmi të forta si ajo e të Lumes Maria Tuci. Politika në Shqipëri duhet të kërkoj falje për krimet e komunizmit si dhe krimet e komunizmit në Shqipëri duhet të dënohen me ligj sepse ishte regjimi me i egër dhe nuk ishte një regjim ateist por antiateist, ishte kundër Zotit”-tha ai.

George Frendo, i pranishëm në shfaqjen e një drame në teatrin “Migjeni” në Shkodër për nder të martires Maria Tuçi ndër të tjera kërkoi edhe që të dënohen krimet e komunizmit. Sipas tij, politika në Shqipëri duhet të kërkojë falje për krimet e kryera në komunizëm dhe këto veprime duhet të dënohen me ligj./b.l/noa.al/