Transmetuar më 13-11-2019, 09:32

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të intervistojë sot kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm. Në garë janë Prokurorja e përkohshme që ka dy vite në detyrë Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela, të cilët janë zyrtarisht nga KLP si kandidatë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

E para që do të dalë para KLP-së, është drejtuesja e Përkohshme e Prokurorisë së Përgjithshme, Arta Marku, pas saj prokurorja e Apelit Tiranë, Fatjona Memçaj dhe në fund prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela.

Një ditë më parë Këshilli miratoi metodologjinë që do të përdorin anëtarët për të pikëzuar kandidatët. Duke iu referuar vendimit të KLP për metodologjinë e vlerësimit të kandidatëve, aftësitë profesionale dhe aftësitë drejtuese do të zënë peshën më të madhe të vlerësimit që do të bëhet me pikë.

Kështu, për aftësitë profesionale që përfshijnë rezultatet e arritura në punë, në studime dhe në kërkimet shkencore, duke përfshirë edhe përvojën e punës, kandidatët mund të grumbullojnë deri në 20 pikë. Për integritetin moral, ku përfshihet reputacioni profesional dhe shoqëror, mund të marrin 4 pikë në total.

Për aftësitë drejtuese, që do të vlerësohen nga cilësia e platformës dhe vizionit, aftësia vendimmarrëse, aftësia për të punuar në grup dhe aftësia për përfaqësim publik, kandidatët mund të grumbullojnë 20 pikë.

Edhe kryetari i KLP, Gent Ibrahimi tha se rëndësi në vlerësimin e kandidatëve do ti jepet integritetit dhe aftësive menaxhuese.

"Për aftësitë profesionale ka një marzh vlerësimi nga ana e këshillit që është nga 1 deri në 20 pikë. Këtu anëtarët e këshillit orientohen që të shohin të kaluarën se çfarë eksperiencash pune kanë pasur kandidatët. Nëse ata në këto eksperienca pune kanë pasur rastin të administrojnë institucione, kanë pasur rastin të përfaqësojnë çështje në gjykatë", tha kreu i KLP./b.l/noa.al/