Transmetuar më 12-11-2019, 21:15

Policia ka proceduar 26 banorë të zonës së “Astirit” në Tiranë, me pretendimin se kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba molotov policinë.

Në njoftimin për mediat thuhet se si pasojë e këtyre përplasjeve mbetën të lënduar pesë efektivë, si edhe u dëmtua një automjet i policisë.

Në lidhje me ngjarjen, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 në përfundim të veprimeve hetimore, bazuar prova dhe pamje filmike të ditëve paraardhëse nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë bënë ndalimin për veprën penale “Kundërshtim me dhunë të punonjësit të policisë së rendit”, të shtetasit në kërkim Sh.S., 46 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u proceduan në gjëndje të lirë për veprat penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike”, dhe “Shkatërrim prone” i 25 shtetasve, nga 22 deri në 73 vjeç.

Në njoftimin për mediat nga Policia e Tiranës nuk evidentohen plagosjet e banorëve të cilët morën ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës.

Aksioni i ditës së sotme i IKMT-së përfundoi me 33 objekte të shembura. /k.k/noa/al