Transmetuar më 12-11-2019, 17:40

Përmes një materiali video në Facebook, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë bën me dije se si ka bashkëpunuar me autoritetet shqiptare në luftën kundër korrupsionit, për të arritur deri te ndërtimi i një sistemi drejtësie të lirë.

SHBA nënvizon se shqiptarët meritojnë një drejtësi të pavarur.

Në video ilustrohet edhe fakti se si gjyqtarë me pagë 10 mijë euro në vit deklaruan të ardhura deri në 250 mijë euro.

“Edhe pse paga mesatare e një gjyqtari në vit nuk arrin më shumë se 10 mijë euro, një në tre gjyqtarë kanë deklaruar 250 mijë euro pasuri në vit”, nënvizon Ambasada Amerikane.

Selia diplomatike njofton se përmes projekteve në disa fusha do të kontribuojë pë të luftuar korrupsionin.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Çdo javë do të nënvizojmë një nismë që kemi ndërmarrë për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. Këtë javë, mësoni se si USAID ka punuar me partnerë për të përmirësuar sistemin gjyqësor prej vitit 2003. Ambasada e SHBA në Shqipëri do të vazhdojë të punojë me partnerët shqiptarë për të ndihmuar ngritjen e një sistemi drejtësie që është transparent, eficient dhe i lirë nga korrupsioni.

Ky është sistemi i drejtësisë që ju, populli shqiptar, meritoni. #ShqiperiaLuftonKorrupsionin #NdalKorrupsionit”, shkruhet krahas videos në Facebook. /k.k/noa.al/