Transmetuar më 12-11-2019, 14:27

I gjithë vendi ynë është ‘pushtuar’ nga moti i keq ditën e sotme, ku nuk kanë munguar stuhitë e shiut e era e fortë.

Moti i keq që ka përfshirë dhe Adriatikun ka mobilizuar në gjendje gatishmërie autoritet e portit të Durrësit. Kapiteneria e përgjithshme e porteve bëri me dije se në det të hapur deti ka shkuar 8 ballë, ndërsa në portin e Durrësit 7 ballë.

Si pasojë e motit të keq kapiteneria e Barit dhe e Durrësit kanë pezulluar lundrimet e trageteve deri në mëngjesin e ditës së mërkurë. Tragetet që duhet të niseshin nga Bari drejt Durrësit mbrëmjen e sotme do të nisen nesër në mëngjes, po kështu edhe nga Durrësi drejt Barit.

Kapiteneria ka kërkuar të qëndrojnë në vendstrehime të gjitha mjetet lundruese, ndërsa puna është ndërprerë në ngarkim shkarkimin e anijeve për shkak të erës së fortë dhe shiut.

Moti i keq me erë të fortë dhe dallgëzim deri në 8 ballë në det të hapur ka shkaktuar pezullim për dy ditë edhe të lundrimit në Vlorë.  Trageti i Linjës me Brindizin nuk do të funksionojë ndërsa peshkarexhat dhe anijet e vogla të lundrimit janë urdhëruar të qëndrojnë në vendstrehime.

Trageti do të qëndrojë i ankoruar në brigjet italiane dhe nuk pritet të rinisë lundrimet para 13 nëntorit. Lundrimi është pezulluar edhe për anijet e vogla të lundrimit dhe peshkarexhat. Sipas urdhrit të Kapitanerisë ata duhet të qëndrojnë të ankoruara në zonën e Triportit në Zvërnec./b.l/noa.al/