Transmetuar më 12-11-2019, 13:28

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka zhvilluar seancën e radhës për anëtarin e Kushtetueses, Besnik Muçi.

Muçi, anëtar i gjykatës Kushtetuese me dekret të Presidentit Ilir Meta, ndodhet sot në seancën e radhës para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili do të njihet me konkluzionet përfundimtare të palëve.

Ish-prokurori Muçi kaloi me sukses shkallën e parë të vettingut, por vendimi u ankimua nga Komisioneri Publik.

Gjatë seancës Komisioneri Publik deklaroi se subjekti ndodhet në kushtet e mosdeklarimit të saktë të pasurisë, pasi nuk e justifikoi plotësisht atë.

Për pasurinë 57 m2 blerë në vitin 2006, subjekti ka deklaruar disa hua nga babai dhe xhaxhai. Nga krahasimi i deklaratës së vitit 2006 me deklaratën në veting ka mospërputhje.

Komisioneri Publik  vlerëson se nuk ka dokumentacion të mjaftueshëm për huatë e marra. Po ashtu nuk ka dokumentacion te mjaftueshëm për aftësinë financiare të të afërmve që i kanë huajtur para.

Sipas raportit të DSIK, Muçi ka kontakte të papërshtatshme me një biznesmen, i cili rezulton me probleme ligjore.

Sipas raportit të DSIK, gjyqtari Besnik Muçi i detyrohet biznesmenit Armand Lilo shumën prej 21 mijë euro, pasi te ai ka blerë një banesë. Muçi tha se nuk e ka hetuar asnjëherë Lilon dhe se nuk kishte dijeni se ai kishte probleme me ligjin./b.l/noa.al/