Transmetuar më 12-11-2019, 12:32

Ish-banori i Big Brother dhe sipërmarrësi, Arbër Çepani ka reaguar pas informacioneve që qarkulluan në media për shoqërimin në komisariat të profesorit, Ervin Goci.

Në një postim në facebook, Çepani shkruan se sot duhet të ndihemi më të sigurtë, pas arrestimit të profesorit Ervin Goci. Ai e akuzon Gocin si anëtar të rrezikshëm të bandave kriminale. Gjithashtu akuzat vijojnë edhe më tej për korrupsion e tjetërsime pronash, vjedhje votash dhe trafik kokaine etj.

"Sot jemi më të sigurt! Më në fund Ervin Goci, pedagogu që përdorte postin akademik si koperturë për përfshirje në aktivitete kriminale, antar i rrezikshëm i bandave mafioze, i cili akuzohet për korrupsion, tjetërsime pronash, vjedhje votash, kanosje fizike, trafik kokaine dhe armëmbajtje pa leje u kap në flagrancë dhe u arrestua nga forcat e rendit", shkruan Çepani.

Më tej Çepani thekson se sipas provave të policisë, profesori Ervin Goci ka përdorur shtëpitë e banorëve të Astirit si laboratore kokaine.

"Nga burimet dhe provat e policisë së shtetit Ervin Goci me nofkën "Profesori" përdorte shtëpitë e astirianëve si laboratore kokaine dhe më pas shfrytëzonte tenderat publikë me buxhete të fryra si lavatriçe të lekëve të kokainës! Kjo është policia që duam! Ky është shteti që duam. "Profesori" është dërguar pranë komisariatit nr.3! Unë them mblidhemi të gjithë aty t’i shprehim mirënjohjen tonë, shtetit tonë për këtë akt heroik, në këtë luftë të egër me krimin e organizuar", përfundon Çepani.