Transmetuar më 11-11-2019, 13:07
Agim Kajmaku

Pak ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shkarkoi si kryebashkiak të Vorës, lëshohet urdhër arresti për Agim Kajmakun.

Mësohet se urdhri është firmosur nga Prokuroria e Tiranës, ndërkohë që policia është vënë në kërkim të tij por nuk e ka gjetur në banesë.

KQZ e shkarkoi më 1 nëntor Agim Kajmakun, duke e gjetur mandatin e tij të pavlefshëm.

Ky shkarkim erdhi pasi u verifikua nga Prokuroria se Agim Kajmaku, ka falsifikuar formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave false, si dhe duke fshehur identitetin e rremë të përdorur në Greqi për prindërit e tij.

Kajmaku rezulton i dënuar në shtetin grek dhe njihej me emrin Jorgo Toto.

Sakaq Kryebashkiaku i Vorës që nga dita e shkarkimit ka 45 ditë kohë për ta ankimuar vendimin në Gjykatën Administrative.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka shpallur në kërkim me masë sigurimi me arrest në burg, në lidhje me hetimin që zhvillohet në ngarkim të shtetasit Agim Kajmaku, i dyshuar për kryerjen e veprave penale, shpërdorim detyre, sipas nenit 248 te Kodit Penal, falsifikimi i formularëve, neni 190 i Kodit Penal, dhe Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës, neni 249 i Kodit Penal”, thuhet në urdhër arrest./a.y/noa.al/