Transmetuar më 10-11-2019, 17:07

Kryetari i PD, Lulzim Basha reagoi, lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama mbi të ashtuquajturin mini-shengen Ballkanik.

Në një status në rrjetet sociale, Basha i quajti deklaratat e Ramës sot nga Ohri, si propaganda e tij e radhës anti-evropiane.

"Dështimi me integrimin europian nuk mund të zëvendësohet nga propaganda anti-europiane e një autokrati të korruptuar, shkaktar i prapambetjes ekonomike dhe varfërimit të qytetarëve shqiptarë. Ka ardhur koha që Shqipëria të nxjerrë në dritë potencialin e saj të vërtetë", shprehet Basha.

Sipas kreut të opozitës, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit është thelbi i integrimit europian dhe Europës së bashkuar.

“Parakushte për lëvizjen e lirë janë demokracia, sundimi i ligjit dhe garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut", mbylli reagimin e tij Lulzim Basha.

Nga Ohri, sot Kryeministri Rama tha se minishengeni Ballkanin vlen “për Shqipërinë dhe Kosovën”.

Rama foli pas konferencës së përbashkët me kryeministrat Vucic e Zaev në Ohër.

“Unë nuk e bëj këtë as për Serbinë, as Malin e Zi, as Bosnje Hercegovinën, as Maqedoninë. E bëj këtë për Shqipërinë dhe Kosovën në radhë të parë.  Unë mendoj dhe punoj për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kur them dhe për Kosovën mendoj që nëse heqim kufirin, e kuptoni po ju flas copë. Heqim kufirin dhe realizojmë lëvizjen e lirë të plotë gjë që nuk do të mund ta bënim kurrë vetëm, Kosova e Shqipëria”, u shpreh kryeministri.

“Kanë tentuar shumë herë ta bëjnë dhe nuk e bën dot sepse nuk të lë njeri ta bësh. Të bllokojnë menjëherë nga të katër anët. Nuk jemi Amerika, as Kina, as Amerika me Kinën.  Jemi dy shtete shqiptare të vegjël, shumë të vegjël dhe duhet të bëjmë gjërat me vizion, mençuri, përplasje aty ku duhet përplasje dhe dialog aty ku duhet dialogu”.

Samiti i radhës do të zhvillohet në Durrës në fillim të dhjetorit, ndërkohë ka pasur përplasje dhe debate në Tiranë dhe Prishtinë, mbi qëndrimin që Rama po mban, lidhur me këtë proces./NOA.al