Transmetuar më 10-11-2019, 15:55

Gjykata vendosi masën “arrest me burg”, deri në përfundim të hetimit për grupin e dyshuar mbi grabitjen e 13 milion lekëve, në Postën e Krujës.

Në qeli mbeti fillimisht roja i sigurisë, i cili akuzohet se nuk e njoftoi menjëherë policinë pas ngjarjes.

Roja private e Postës, Besnik Parruca, i arrestuar menjëherë pas zbulimit të ngjarjes.

Ndërkohë në  kërkim mbetet specialisti i sallës së monitorimit të Shoqërisë private që kishte ruajtjen e institucionit.

Togat e zeza lanë në qeli Andi Rexhepin, 30 vjeç, Mark Cakën, 33 vjeç  dhe Gazmir Sakën, 32 vjeç, si autorë kryesor të grabitjes.

Të njëjtën masë sigurie, gjyqtarja Enkeleda Hoxha caktoi edhe për Bujar Tafën dhe shtetasin me iniciale A. L, me detyrë roje në magazinat ku autorët magazinonin sendet e vjedhura.

Sipas Policisë dhe Prokurorisë së Krujës Andi Rexhepi i njohur edhe si  “Rrem Paturri” qëndronte në krye të grupit me veprimtari të theksuar në fushën e grabitjeve në disa zona të vendit.

Ata u arrestuan të premten, ndërsa policia tha se gjeti edhe një pjesë të parave të vjedhura nga Posta.

Ndërkohë që banesat e tre anëtarëve kryesor të grupit të hajdutëve u kapën edhe 3 armë zjarri me silenciatorë, minë me telekomandë, dy automjete e prova të tjera të vlefshme që shërbejnë për hetimin.

Ky grup sipas policisë rezultojnë të kenë kryer edhe një sërë grabitjesh të tjera, në disa qytete të vendit tonë./NOA.al