Transmetuar më 10-11-2019, 14:20

Kryeministri Edi Rama tha se shumë shpejt do të bëhet publik ligji special kundër grupeve kriminale dhe prokurorëve dhe gjyqtarëve të grupit siç e quan “Kap ça të kapësh”. Nga Ohri ku po jep një konferencë me gazetarë shqiptarë, Rama tha se për ligjin është krijuar një grup i gjerë pune.

“Lidhur me ligjin special shumë shpejt ne do ta bëjmë publik dhe më lejoni të mos nxjerr ende detaje. Kjo është edhe një arsyet e mungesës sime të zakonshme në publik. Kemi punuar me një grup të gjerë pune, me partnerë ndërkombëtarë dhe kemi grupuar shumë eksperienca botërore dhe kam vendosmërinë të hyjmë në një luftë të pa njohur më parë kundër krimit të organizuar dhe të marrim masa kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të grupit KÇK”, theksoi ai.

Ndërkohë Rama nuk ka lënë pa sqaruar as lajmin që qarkulloi pak kohë më parë se kryeministri për shkak të gjendjes shëndetësore jo të mirë kishte anuluar takimin me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, nuk ishte i pranishëm në seancën plenare apo dhe mungesa në takimin me socialistët e Elbasanit.

Ai tha se nuk ka probleme me shëndetin. Mes të tjerash shtoi se i vinte keq që çështja e shëndetit të tij bëhej diskutim nga ata që kanë humbur pushtetin.

“Më vjen keq që shëndeti im është shpresa e atyre që humbin pushtetin. Skam probleme shëndetësore. Edhe sikur të kisha, besoj se nuk është kjo një rrugë fortë e respektueshme për të bërë politikë”, tha Rama.

Ndërsa i pyetur se pse nuk arriti të bindte liderët kosovarë për të marrë pjesë në takimin e Ohrit për lëvizjen e lirë në Ballkanin Perëndimor, Rama tha se nuk mund të luante rolin e “madhit”.

“Shengeni ballkanik është refuzuar nga dy faktorë, BE dhe Serbia pasi e ka parë si kërcënim. Sot kur Serbia lëshon në këtë drejtim se e sheh si interes ne i kundërvihemi, pse? Është hapur kufiri? Jo! Sot që me ngulm të madh nga ana ime është krijuar kjo mundësi.

Unë i kam bërë shpjegimet e mia. Mos harroni se është një moment në Kosovë që po ndodh një tranzicion i qeverisë. Kam dëgjuar Albin Kurtin që thotë se Kosova është mirë të marrë pjesë në tryeza. Por, unë nuk mund të bëj më të “madhin” dhe t’i bind. Janë ata vetë që vendosin”, shtoi ai./b.l/noa.al/