Transmetuar më 10-11-2019, 13:48

Takimi i tretë midis liderve të Ballkanit do të mbahet në Durrës, në 21 dhjetor të këtij viti. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në Ohër.

“Kjo është një nismë për të shtyrë më tutje procesin dhe vjen si vullnetit të brendshëm, jo si një patronazhim nga jashtë. Miqtë tanë nga BE ishin të pranishëm sot dhe ishin të ftuar, jo ftues. Nëse ky ndryshim shqetëson dikë apo disa, nuk është problem i nismës. Ne u dakordësuam që në 21 dhjetor të zhvillojmë mbledhjen e radhës në Durrës dhe morëm konfiormimin që në atë mbledhje do jetë i pranishëm Jozef Borrell, që merr stafetën nga Mogherini, si një vazhdimësi e një rruge të mesme. Edhe Mali i Zi edhe Bosnja shpresoj të marri pjesë”, u shpreh Rama.

Më tej Rama u ndal dhe tek kundërshtarët e mini-Shengenit ballkanik, duke theksuar se Europa është një klub interesash dhe se Ballkani nuk duhet të presë zgjidhjen e problemeve të saj por të krijojë lehtësira në lëvizjen brenda rajonit. Rama tha se ky dokument nuk është kundër integrimit në Europë, por rajoni integrohet brenda vetes për anëtarësimit në BE.

“Nuk ka lidhje me refuzimin e Bashkimit Europian. Jemi dakordësuar në Nju Jork për të hapur këtë proces. Ne kemi dorëzuar në Samitin e Parisit, kancelares Merkel dhe gjithë të tjerëve këtë dokument dhe mbasi në nivelin e lartë politik u pëlqye e morën burokratët në Bruksel e shtrydhën dhe e kthyer në 780 pika. Çfarë lidhje ka në kuptimin e integrimit faktin që do heqim pengesat.

Do presim që të bëhen anëtar të BE-së fermerët që duan të çojnë mollët dhe domatet në Maqedoninë e Veriut. Çfarë faji kanë ata që duan të kalojnë kufirin dhe kontrollohen nga dy palë policë që ndonjëherë të dehin pasi kanë pirë kaq shumë alkool duke pritur integrimin në Bashkimin Europian. Ku është e keqja për të gjithë ata që duan të punësohen, apo turistët që vijnë në bregdetin tonë me një hyrje jo me katër palë viza. Pse duhet të presim integrimin në BE që shqiptarët e Preshevës që diplomohen në Shqipëri të punojnë në vendin e tyre.

Ne jemi lagjja më e varfër e Europës dhe duam të integrohemi në lagjen e pasur. Ato kanë interesat e veta. Është një klub interesash. Ne duhet të vazhdojmë të ngremë mure dhe t’i vëmë mina njëri-tjetrin. Çfarë do presim? Do integrohen personalisht. Do marrin rrugën dhe do shkojnë atje. E vetmja e re këtu është që nuk na ka mbledhur Johannes Hahn”, tha Rama./b.l/noa.al/