Transmetuar më 10-11-2019, 08:31

Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar një lumë me akuza në lidhje me takimin e tre liderëve të Ballkanit, kryeministrit Edi Rama, presidenti Aleksandër Vuçic dhe Zoran Zaev, në kuadër të samitit të Ohrit.

Përmes një reagimi në ‘Facebook’, Berisha pohon se ky takim është një sukses për Vuçiç, i cili me ndihmën e Ramës po kërkon të krijojë Serbinë e Madhe.

Mes të tjerash Berisha citon burime të tij diplomatike që e informojnë se në takimin e Nishit, Vuçiç ka rënë dakord me Ramën për përjashtimin e Kosovës.

“Takimi i Ohrit, sukses i serbomadhit Vuçiçit në krijimin e Jugosllavisë së Re me ndihmën e Zografit Bis! Miq, me paktin e Nishit, në një akt përçarës antikombëtar Zografi Bis përsëriti pikë për pikë paktin Tito – Enver të bashkimit doganor në kuadrin e shndërrimit të Shqipërisë në republikë të 7-të të Jugosllavisë.

Burime shumë të sigurta diplomatike kanë informuar se serbomadhi Vuçiç në Nish kishte rënë dakord me Zografin Bis për përjashtimin e Kosovës nga Pakti i Nishit dhe lobimin nga Beogradi pranë Elize-së për çbllokimin nga Franca të hapjes së negociatave për Shqipërinë”, shkruan Berisha.

Sipas Berishës ajo që mbetet e qartë si kristali është se edhe takimin e Ohrit, Vuçiç e përdori për të paraqitur veten si udhëheqës i rajonit dhe Zografin Bis dhe Zaevin si vasal të tij, të cilët de fakto por edhe de juro mbështesin krijimin e Jugosllavisë së Re.

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe politikën dhe qëndrimin antikombëtar të Zografit bis shndërruar tashmë në vegël të hapur të serbomadhit Vuçiç si dhe takimet përçarëse trilaterale në funksion të krijimit të Jugosllavisë së Re”, shton ai./b.l/noa.al/