Transmetuar më 08-11-2019, 16:30

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste është shprehur kundër vendimit të Prokurorisë për të akuzuar kryedemokratin Basha vetëm për falsifikim dokumentesh, në çështjen për lobimin rus.

Përmes rrjeteve sociale, Taulant Balla është shprehur se në dokumentin e bërë publik, Prokuroria e ka vërtetuar pagesën prej 500 mijë dollarë, ndërsa në konkluzion kjo mungon.

“L.Basha nuk mund të gjykohet vetëm si fallsifikator. Prokuroria në dokumentin e bërë publik ka vërtetuar pagesën 500 mijë dollarë & vepra tjetër penale për të cilën u akuzua "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" qëndron. Pse në konkluzion kjo akuzë mungon”, shkruan Balla në Tuiter.

Në një postim të dytë ai shkruan se dosja ndaj Lulzim Bashës duhet të hetohet nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, dhe jo nga KÇK.

“Teksa shqiptarët presin të ngrihet SPAK është papranueshme që prokurorë të caktuar të bëjnë amnisti për vepra penale kaq të rënda. Gjykata nuk duhet ta pranojë dhe duhet ta rikthejë për hetim. Kjo dosje duhet të hetohet nga SPAK jo nga KÇK”, vijoi Balla. /k.k/noa.al/