Transmetuar më 07-11-2019, 15:10

Padyshim që largimi i 11-vjeçarit shqiptar Alvin Berisha nga kampi i ISIS në Siri ishte lajm i mirë për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm. Mes shumë reagimeve pas ndërhyrjes së qeverisë shqiptare për të bashkuar djalin me familjen e tij në Itali, vjen dhe një nga kampi opozitar.

Përmes një postimi në ‘Facebook’ nënkryetari i PD-së Edi Paloka theksoi se ky ishte një lajm i mirë për të gjithë, sidomos për familjarët. Por nga ana tjetër Paloka nuk ka lënë pa shigjetuar edhe Edi Rama dhe shton se dihej që ky i fundit do të merrte meritat, ndërsa habitet me postimin e kryeministrit.

Ajo çka i bën përshtypje Palokës është fakti se ministri Lleshaj prej 1 jave qëndron në Siri, pasi u përfshi direkt në procedurat e transferimit të vogëlushit, në bashkëpunim me autoritetet italian.

“Alvin Berisha paska dalë më në fund nga kampi ku qëndronte. Ky është një lajm i mirë për të gjithë po sidomos për babain dhe familjarët e tij. Që Rama do dilte menjëherë të merrte “meritat” kjo pritej se ndodh rëndom dhe shëmtuar për çdo “sukses” që në fakt nuk ka asnjë lidhje me qeverinë e tij, përkundrazi ( imagjinoni që edhe ngritjen e flamurit në ndeshjen me Serbinë dhe kualifikimin e kombëtares në Evropian u përpoq t’i paraqiste si suksese te tij personale…) Po çfarë kalonte çdo limit logjik , ishte njoftimi i kryeministrit se “ministri i brendshëm ka qëndruar një javë në kufirin me Sirinë…” deri sa u zgjidh çështja e Alvinit!!!”, shkruan Paloka.

Më tej ai ngre disa pyetje duke thënë se, “Ky Lleshi është ministër i brendshëm në Danimarkë apo në Suedi që qëndroka një javë në kufi me Sirinë?! A është ky ministër i një vendi ku mafia bën ligjin dhe ku pak ditë më parë ju bë atentat në mes të rrugës një prokurori prej nipit të një deputeti ?

A është ky ministri i një vendi, që rezulton nga statistikat më të fundit si vendi me më shumë krime të rënda në Evropë? A e di ky ministër se sa fëmijë bëhen pre e krimit të rrugës në Shqipëri ? A e di ky ministër dhe shefi i tij se sa fëmijë janë të mbyllur prej vitesh brenda mureve të shtëpisë se janë të kërcënuar nga krimi?

Në fund të fundit, kaq i pazëvendësueshëm paska qenë roli i Lleshit në Siri sa duhej të qëndronte një javë aty ? Nuk mund të merreshin strukturat e specializuara me çështjen? Nuk zgjidhej pa qenë nevoja të shkonte Lleshi në Siri, se nuk besoj që ka shkuar si Rambo atje…”

Sipas Palokës, “Do thotë dikush që kjo çështje ishte sensitive sepse u bë bujë dhe në mediat italiane. Sigurisht kjo është arsyeja, Rama e pa si një mundësi për të paraqitur një “sukses” në kohën që po mbytet nga skandalet dhe dështimet.

Çudi si nuk pati të njëjtin efekt as tek Rama e as tek Lleshi i tij, publikimi nga mediat ndërkombëtare e sidomos nga BILD i fakteve që tregojnë krimet zgjedhore të funksionarëve të “rilindjes”? Asnjë arrestim megjithëse tashmë është një nga kushtet që Bundestagu dhe Evropa i kanë vënë Ramës; arrestimi i personave të kapur në krime zgjedhore”./b.l/noa.al/