Vrasja në Dukagjin, viktima i dënuar në Itali për trafik droge
Transmetuar më 07-11-2019, 10:32
Gjergj Krygja

Gjergj Krygja, 43-vjeçari i ekzekutuar ditën e djeshme pranë shtëpisë së tij në Dukagjin, rezulton person me precedentë penalë.

Ai rezulton të ketë bërë dy vite burg në Itali për trafik droge, ndërsa më tej autoritetet e shtetit fqinj e kanë deportuar.

Jo vetëm kaq por Krygja para dy vitesh ishte i dyshuar nga policia shqiptare për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit dhe ishte shpallur në kërkim.

Pikërisht prishja e pazareve të drogës, është edhe një prej pistave ku është përqendruar policia.

43-vjeçari Gjergj Krygja, kishte shkuar në fshatin e lindjes, Sumë, për të mbledhur zairetë e dimrit, ndërkohë që prej kohësh jetonte në Koplik. Ai u vra me katër plumba kallashnikovi, ndërkohë që trupin e pajetë e gjeti e shoqja.

Mësohet se viktima ka qenë edhe komisioner në zgjedhjet vendore të vitit 2015, duke përfaqësuar Partinë Socialiste, por pista e motiveve politike përjashtohet nga policia.

Policia nuk ka ende një të dyshuar për krimin e mesditës së të mërkurës, ndërkohë që hetimet janë në vijim. /a.y/noa.al/

Loading...
Loading...