Transmetuar më 06-11-2019, 22:34

Një palë syze të lëna në Benz-in e vjedhur që u përdor në plagosjen e trefishtë të së premtes çuan në zbulimin e Redjan Rrajës.

Janë një palë syze dielli, në të cilat ishin gdhendur inicialet e emrit të tij. Por zbulimi erdhi nga shenjat e gishtave që ai kishte lënë mbi to.

Disa ditë pas atentatit ndaj prokurorit dhe ndërsa hetimet janë përqendruar në të ashtuquajturën “mafia e pronave”, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës tregoi në emisionin Opinion se çfarë po ndodh me pronat.

“Kjo që po ndodh tani është: mbaroi Shqipëria së vjedhuri dhe po detyrohemi të “hamë” njëri-tjetrin. sepse nuk ka më Shqipëria për të vjedhur”, tha Artan Lame.

“Në 91 u prish kooperativa dhe këta ndanë tokën e kooperativës. Absurdi është që teorikisht tokat e kooperativës ndahen edhe sot. Ndanë kooperativën 2-3 vitet e para me të famshmet AMTP. Pasi nuk kishte me tokë rrinin te kafja e fshatit dhe mendonin ore ca ka tjetër për të ndarë? Gjejmë kodrën e penelit, kodër e pafrytshme, hajde e ndajmë. Gjejmë edhe 2 – 3 veta nga fshati edhe ndajmë. Ata 3 veta merrini nga një 5 leksh, toka rishitej edhe iku. Vajtën 97, 98, 2000, u ndanë të gjitha tokat mbaruan. Ca ka mbetur akoma, po është kjo zona e pyllit këtu. Pylli nuk lejohej të ndahej sepse nuk ishte i kooperativës. Atëherë u mblodhën dhe i ndërruan pyllit statusin në këshillin e qarkut nga pyll në tokë bujqësore. Iu jepej toka fshatarëve pastaj menjëherë rishitej“, tregoi me shembuj drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.