Banka Botërore: Korrupsioni në Shqipëri, edhe më keq se gjashtë vite më parë
Transmetuar më 06-11-2019, 21:26

Një raport i Bankës Botërore (BB) jep të dhëna alarmante për nivelin e korrupsionit në Shqipëri. Raporti vë në dukje se fenomeni i korrupsionit në administratën shqiptare është përkeqësuar, në raport me gjashtë vite më parë.

Sipas BB, kompanitë shqiptare janë detyruar të paguajnë më shumë nën dorë për zyrtarët e shtetit. Përfundimi vjen nga Banka Botërore. Po sipas Bankës Botërore për vitin 2019, mbi 36 për qind e bizneseve shqiptare u është kërkuar të paktën një herë ryshfet nga zyrtarët e shtetit. Kjo shifër është tre herë më e lartë se mesatarja e rajonit dhe mbi dy herë më e madhe se sa mesatarja botërore.

Një herë në çdo 6 vjet, Banka Botërore kryen të ashtuquajturin vrojtimi i sipërmarrjeve, në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, ku kompanitë pyeten për çështje kyç që lidhen me klimën e biznesit si korrupsioni, taksat, krimi dhe ambienti rregullator. Por cilat janë rezultatet për vitin 2019? “Krahasuar me vitin 2013, frekuenca e ryshfeteve është rritur me gati dy herë, nga 20.6 për qind që ishte atëherë në 36.1 për qind sot. Madje frekuenca aktuale e ryshfeteve, sipas Bankës Botërore është më e lartë edhe se sa në vitin 2005”, vlerëson BB.

Në vrojtimin për bizneset Banka mat një sërë treguesish që lidhen me korrupsionin. Përveç kërkesave për ryshfet, ajo mat edhe thellësinë e këtij treguesi, përqindjen e kompanive që japin para nën dorë për inspektorët e taksave si dhe atë të bizneseve që japin dhurata për të marrë kontrata nga qeveria. Të gjithë këta tregues janë përkeqësuar në rend dyfish, përveç peshës së firmave që japin dhurata për të marrë kontrata publike, e cila është ulur nga 39.5 për qind që ishte në vitin 2013 në 15.3 për qind aktualisht.

Loading...
Loading...