Transmetuar më 06-11-2019, 18:59

Video e ish-trajnerit të ekipit U-17 të Laçit, Ndue Tarazhi, u bë virale pak ditë më parë, ku ai shfaqej duke dhunuar lojtarët e tij pasi kishin humbur një ndeshje.

Fjalori i trajnerit dhe goditjet me shpulla që i jepte disa prej lojtarëve, tronditën opinionin publik, dhe për këtë rast ai u shoqërua madje edhe në polici, për të dhënë shpjegimet e tij në lidhje me ngjarjen.

Ditën e sotme, ai ka folur në Tv Klan, ku ndër të tjera nuk e quan dhunë atë që ka ndodhur në video, por e quan veten edukator, dhe atë moment e konsideron debat pas një ndeshje.

Më poshtë, dialogu në studio:

Si ndiheni ju kur e shikoni atë video? Kur shikoni veten tuaj në atë video?

Ndue Tarazhi: Unë nuk e kam parë fare atë video sepse nuk ma ka marrë televizori por nuk ka rëndësi ajo punë ma kanë thënë të tjerët. Tani më dëgjo me shumë kujdes..

Po!

Ndue Tarazhi: Unë jam një person që njihem në qytetin tim, njihen në krahinën time dhe njihem pozitivisht dhe në shkallë republike, për ato punë që i kam bërë mirë apo keq, por jam person publik që njihem. Hera e parë në jetën time që më ka ndodhur. Unë e quaj debat atë, debat, nuk e quaj gjë tjetër. Unë e quaj debat me fëmijët, ata nuk janë fëmijë se janë 17 vjeçarë dhe më ka ndodhur. Jam treguar i pakujdesshëm, nuk e kam pasur vëmendjen çfarë bëj, kam qenë i revoltuar sepse dhe ata kanë bërë gabimet e veta gjatë asaj mbrëmjeje të shtunën, kur unë mund t’i kem thënë rrugaç dhe vagabond. Fjalën rrugaç, unë di ta shpjegoj shumë mirë, ajo është të rrish rrugës atëhere kur nuk është për të ndenjur.

Ju thoni se nuk e keni parë videon, por nuk bëhet fjalë që ju keni thënë rrugaç, ju atje keni goditur fizikisht fëmijë. Ju shohim që godisni fëmijë. Çfarë qëndrimi keni për këtë?

Ndue Tarazhi: Ore dëgjo edhe njëherë këtu ti. Unë do të them se çfarë kam thënë dhe çfarë kam bërë, a kuptove?

Po!

Ndue Tarazhi: Iu kam thënë vagabonda? Për çfarë iu kam thënë vagabonda sepse kanë qëndruar deri vonë në klube dhe pinë çajra ashtu siç pinë fëmijët, nuk mund të them gjëra të tjera se nuk e di. Po që kanë qëndruar deri vonë e di. Unë kam përdorur këto të dyja. Kam përdorur dhe një, nuk e quaj goditje atë që kam bërë por megjithatë është gabim. Por është gabim i momentit dhe mos qënies time në gjendje për të menduar..

Nëse ju do shikonit që nipin tuaj e godet tranjeri, si do reagonit ju?

Ndue Tarazhi: Unë do iu bëj një kundër pyetje unë ty, të lutem shumë. Trajneri a është edukator?

Po edukatori duhet të godasë?

Ndue Tarazhi: A ma ka dorëzuar mua prindi? Ai ma ka dorëzuar se më beson mua për edukimin e tij në të gjitha drejtimet..

Hyn tek edukimi dhe goditja?

Ndue Tarazhi: Dëgjo këtu dhe një herë tjetër… Lëre atë punën e goditjes se goditja ishte momentale se unë jam 77 vjeç dhe s’kam goditur njeri dhe s’ka qenë ndonjë goditje që ka lënduar njeri, në një dhomë të fshehtë, mua më ka parë gjithë publiku se kam bërë në mënyrë të fshehtë..

Kërkoni ndjesë për atë që keni bërë ju, që keni fyer dhe goditur fëmijët gjatë seancës stërvitore?

Ndue Tarazhi: Dëgjo këtu edhe njëherë tjetër, nuk është sërvitje ajo moj, është dy vite para. E kanë nxjerrë me qëllim atë, por moralin tim nuk e ul ajo video.