Dëbimi i 26-vjeçares shqiptare shtatzënë ndez polemika të ashpra në Islandë: E turpshme!
Transmetuar më 06-11-2019, 18:42

Është gati e pabesueshme, që në Islandë janë ngritur njerëzit, mediat, shoqata të ndryshme, parti dhe deputetë të Kuvendit, për të shprehur zemërimin e tyre dhe kundërshtinë lidhur me të drejtën e një familjeje shqiptare, që u dëbua.

Është kritikuar ashpër qeveria, autoritetet e emigracionit, dhe deri kompania ajrore që pranoi ta kthente gruan shqiptare dhe familjen e saj, ndonëse kishte vetëm një muaj që jetonte në Islandë.

Është ky reagimi i një vendi, që nuk lejon padrejtësi edhe për ata që nuk janë shtetas të Islandës.

Vendimi i Drejtorisë së Emigracionit Islandez për të deportuar një grua 26-vjeçare shqiptare, gati 36 javëshe shtatzënë, nga Islanda herët në mëngjes dje është shoqëruar me kritika të rënda.

Disa parti të majta, Rinia Socialdemokrate dhe Lëvizja e Grave të Aleancës Socialdemokrate e kriktikuan ashpër vendimin në Islandë dhe deklaruan se kjo ishte një shkelje e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.

Drejtoria e Shëndetësisë Islandeze kritikoi po ashtu vendimin në një letër ku thuhej se dëbimi duhej të ishte shtyrë, bazuar në një letër të një mjeku në Spitalin Kombëtar Universitar të Islandës.

Gruaja shqiptare mbërriti në Islandë një muaj më parë me burrin e saj dhe djalin dy vjeç. Pas një shqyrtimi, kërkesa e tyre nuk u miratua për azil.

Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt.

Ministri i Drejtësisë laslaug Arna Sigurbjörnsdóttir i tha mediave islandeze se nuk mund të komentojë për raste specifike. Ai shtoi se kur dëbimi besohet se ka të bëjë me rrezik, kërkohen rekomandime nga zyrtarë shëndetësorë dhe merret vendimi për shtyrjen e dëbimit. Shpesh kjo ndodh, përfshirë edhe në raste të shtatzënisë, kur nëna është në rrezik.

"Një njoftim u mor nga Drejtoria e Shëndetit pas dëbimit, dhe është e qartë se rekomandimet nga autoritetet shëndetësore duhet të jenë të qarta," shton laslaug.

Helga Vala Helgadóttir, deputete për Aleancën Socialdemokrate, tha se autoritetet Islandeze kanë marrë një qëndrim të rreptë ndaj azilkërkuesve kohët e fundit. Ajo beson se duhet të zbatohen dispozitat ligjore, të cilat nuk janë të hapura për interpretime.

"Nëse autoritetet Islandeze nuk e konsiderojnë pozicionin e një gruaje, 36 javë shtatzënë me rrezik të lartë, dhe veçanërisht delikate, atëherë nuk e di se kush do të vlerësohej në një pozitë veçanërisht delikate në këndvështrimin e autoriteteve," tha ajo.

“Nëse shikoni ligjin e imigracionit, qëllimi i tyre është të tregojnë kujdes dhe njerëzi. Njerëzit në një situatë veçanërisht delikate nuk duhet të dëbohen," shton ajo. "Është e pabesueshme që një kompani ajrore lejoi që ajo të hipte në aeroplan."

"Këto procedura janë të pabesueshme, por kjo është ajo që ndodhi," deklaroi Jón Steinar Valdimarsson, deputet i Partisë Reformë në parlamentin Islandez. "Kjo duhet të ndryshohet. Kjo lloj sjelljeje nuk duhet të përsëritet. Është e turpshme ”.

Gruaja që u dëbua kishte marrë një letër nga një mjek mëngjesin e djeshëm, duke thënë se një fluturim i gjatë do të ishte i vështirë për të, për shkak të dhimbjes muskulore. Policia, megjithatë, nuk i dëgjoi këto paralajmërime, por iu referua vërtetimit të një mjeku në Drejtorinë e Emigracionit, duke thënë se ajo mund të udhëtonte. Ajo çertifikatë u bazua në informacionin nga vizita e saj te një mjek tjetër tre javë më parë.

Familja shqiptare që u dëbua mbërriti në Shqipëri pas një udhëtimi të gjatë, raporton mbl.is, mbi rastin në fjalë, çka tregon se bota e qytetëruar tregon një interes gati të pabesueshëm për qytetarët e vendeve të tjera, pavarësisht dëbimit nga autoritet, dhe ky është një leksion për autoritetet dhe shoqërinë shqiptare./NOA.al

Loading...
Loading...