Transmetuar më 06-11-2019, 18:13

Të punosh deri të enjten, jo vetëm që i bën punonjësit më të lumtur, por edhe shumë më pozitivë. Është kjo ajo që ka zbuluar një eksperiment i kompanisë Microsoft në Japoni, i publikuar në sajtin e kompanisë.

Kur java e punës u reduktua në katër ditë, u vu re se produktiviteti u rrit me 40%. Eksperimenti u krye në muajin gusht, në 2300 punonjës të kompanisë, të cilëve iu dha edhe e premtja pushim, e paguar. Gjatë kësaj periudhe u vu re se produktiviteti u rrit me 39.9%, në raport me muajin korrik.

“Takimet u reduktuan në maksimumi 30 minuta dhe shumë prej tyre u kryen nëpërmjet videokonferencave”, deklaron kompania.

Ndër të tjera u shënua një kursim prej 23.1% i energjisë elektrike dhe 58.7% e letrave të përdorura gjatë kësaj periudhe.

Në përfundim të kësaj periudhe 92% e punonjësve u shprehën më të kënaqur. Një eksperiment i tillë do të përsëritet sërish në dimër, shkruan noa.al.

Nevoja për të reduktuar orarin e punës në Japoni ndjehet pasi shumë kompani kërkojnë mesatarisht 80 orë punë në javë, gjë që ka dhënë alarmin. Ndërkohë një studim i Universitetit të Ohio në SHBA, arriti në përfundimin se produktiviteti rritet edhe me reduktimin e orëve të punës, në 6 orë në ditë. /a.y/noa.al