Transmetuar më 06-11-2019, 08:33

Një tjetër person i shpallur në kërkim për vrasjen e dy personave babë e bir ka përfunduar në pranga, falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët.

Specialistët e Interpol Tirana bënë ekstradimin nga Milano, Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Etien Cani 28 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Vrasja në rrethana cilësuese, në bashkëpunim" dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Etien Cani është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri babë e bir, shtetasit Gentjan Beqiri dhe Nezir Beqiri.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

Etien Cani dhe viktima, Gentian Beqiri ishin shokë të ngushtë me njëri-tjetrin. Ai e vizitonte këtë të fundit shumë shpesh në shtëpi për arsye se Beqiri ndodhej në arrest shtëpie pasi ishte një nga tre autorët e vrasjes së Sokol Çapjas në 25 dhjetor 2005.

Por në mëngjesin e 15 gushtit 2012 Gentian Beqiri u qëllua me tre plumba në kokë, teksa flinte në dhomën e gjumit në apartamentin e tij. Ndërsa babai i tij u rrah barbarisht me sende të forta duke pësuar fraktura në 6 brinjë dhe hemorragji në tru dhe në mëlçi.

Për këtë ngjarje u akuzua Etien Cani së bashku me Ervis Bardhin, për të cilin ka dyshime se ndodhet në Greqi. Cani tashmë do të përballet me drejtësinë me akuzat "Vrasja në rrethana cilësuese, në bashkëpunim" dhe “Armëmbajtja pa leje”./b.l/noa.al/