Transmetuar më 05-11-2019, 15:47

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar ndaj kryeministrit, Edi Rama, lidhur me arrestimin e sotëm në nipit të deputetit të PS-së, mbi atentatin në Durrës.

Rama pas ngjarjes  tha se "do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar", ndërsa në një reagim në Facebook, Bardhi shprehet se kryeministrin Rama e solli dhe e mban në pushtet krimi.

"Kryetar i organizatës KÇK (kap ca të kapësh) është sot Edi Rama", theksoi Berdhi.

Rama akuzoi pak kohë para atentatit prokurorin Ndoj, si pjesë të një grupi brenda sistemit të drejtësisë, që bën pjesë te banda KÇK, dhe madje i shpalli ata persona në kërkim.

Reagimi i Gazment Bardhit

Kush e ka penguar Edi Ramen t’i nxjerrë ujët e zi, Elvis Roshit, Arben Ndokës, Arben e Mark Frrokut? Ai i mbrojti ata, edhe kur u faktua botërisht se ishin trafikantë, përdhunues, vrasës.

Kush e pengoi Edi Ramen t’i nxjerrë ujët e zi Valdrin Pjetrit, Agim Kajmakut e Mark Babanit që i kandidoi në votimet e 30 Qershorit dhe i mbrojti deri në fund?!

Kush e detyroi Edi Ramen ta mbrojë Rrahman Rrajen dhe bandën e tij, që kërcënon, dhunon, vjedh, por për ta drejtësia nuk ekziston, sepse ata sigurojnë pushtetin e Edi Ramës.

Edi Ramen e solli dhe e mban në pushtet krimi, prandaj pas çdo krimi qëndron një përfaqësues i Rilindjes.

Edi Rama po u nxjerr ujët e zi vetëm qytetarëve të zakonshëm.

Që kriminelët të shkojnë pas hekurave, që korrupsioni të mos gllabërojë çdo pasuri të këtij vendi duhet të largohet Edi Rama dhe të japë llogari para drejtësisë.

Kryetar i organizatës KÇK është sot Edi Rama./NOA.al