Transmetuar më 05-11-2019, 15:14

Mbrojtësi i talentuar i mbrojtjes së Veronës, Marash Kumbulla, 19-vjeç, ka fituar vëmendjen e opinionit pasi në sezonin e parë në Seria A, vetëm 19-vjeç është kthyer në një protagonist, madje duke shënuar edhe një gol.

Fundjavën e kaluar Kumbulla pësoi një dëmtim dhe në ndeshjen ndaj Inter me shumë mundësi nuk do të jetë pjesë e skuadrës. Ai është dëmtuar në vigjilje të dy ndeshjeve të Kombëtares, të vlefshme për kualfikueset Euro 2020, ndaj Andorrës dhe Francës.

Sakaq, Kumbulla ka rrëfyer fillimet e tij si dhe emocionet e forta që ka ndjerë në debutimin me Shqipërinë. Ndërsa, ka theksuar se pika e tij e fortë janë leximi i lojës si dhe goditjet me kokë.

"Po provoj emocione të bukura. Ende më vijnë të dridhurat kur mendoj për golin kundër Sampdorias. Janë momente që do të mbesin në kujtimet e mia dhe personave pranë meje", theksoi ai, ndërsa foli edhe për golin e fundit me Veronën. "Goli i dedikohet familjes sime dhe të dashurës. Ajo është gjithmonë prezente".

Por si arriti të ngjitej kaq shpejt në nivele të larta, duke u bërë pjesë e Veronës?

"Luaja të Kavalkasele, një skuadër këtu pranë. Kisha fatin të bëja disa prova për Veronën, i shoqëruar nga trajneri im në atë kohë, Xhuliano. Ishte ai, pas katër apo pesë tentativash, që më tha se isha përzgjedhur. Isha shumë i lumtur, edhe pse në atë moment nuk e kisha kuptuar se çfarë do të thoshte Verona për mua".

Kumbulla tha se lojtari që të ka impresionuar më shumë është Ronaldo, por edhe Dibala.

"Ishte fantastike të takoje ata. Më ka bërë përshtypje t’i shoh ata afër, pasi duken të ndryshëm nga të tjerët. Ëndrra? Ëndrra ime ishte të luaja në Serinë A. E kam realizuar, shpresoj të vazhdoj kështu. Mbrojtësi i parë i vitit 2000 që realizon në Serinë A? Nuk e dija për këtë rekord, por më treguan. Jam i lumtur, shpresoj të bëj më shumë. Janë prindërit të lumtur? Shumë të lumtur. Ata janë tifozët e mi të parë, sidomos babai, i cili më ka ndjekur gjithnjë”, u shpreh talenti kuqezi, Marash Kumbulla.