Italia ndez kullën gjigante në Milano për të sjellë vogëlushin shqiptar në shtëpi
Transmetuar më 05-11-2019, 11:48

Këshilli Rajonal i Lombardisë ka ndërmarrë një inisiativë në ndihmë të vogëlushit 11-vjeçar shqiptar, Alvin Berisha. Prej mbrëmjes së të hënës, 4 nëntor 2019, kulla Pirelli në Milano do të mbajë në fasadën e saj për dy ditë mbishkrimin “Free Alvin” (“Lironi Alvinin”).

Bëhet fjalë për rastin e 11–vjeçarit shqiptar Alvin Berisha të mbetur në kampet e Sirisë. Për herë të parë, rasti i Alvin Berishës të bllokuar në një kamp burgu të Sirisë pas rekrutimit të nënës së tij në radhët e ISIS, U denoncua nga emisioni italian investigativ “Le Iene”.

Propozimi, i parashtruar nga drejtuesi i Forza Italia Gianluca Comazzi, gjeti konsensusin dhe miratimin unanim të Zyrës Presidenciale të Këshillit Rajonal të kryesuar nga Alessandro Fermi. Nisma frymëzohet nga mocioni urgjent për rastin e Alvinit të vogël, të paraqitur nga këshilltarja Forza Italia Paola Romeo, më 22 tetor dhe u votua unanimisht nga Dhoma.

Dokumenti detyroi Këshillin Rajonal të Lombardisë të nxiste qeverinë kombëtare të krijojë kontakte diplomatike me qeverinë shqiptare për lirimin e 11-vjeçarit.

“Falënderoj Presidentin Fontana, Presidentin e Këshillit Fermi dhe drejtuesin Comazzi që ndërmorën një veprim të rëndësishëm që synon të sensibilizojë si Qeverinë shqiptare ashtu edhe Qeverinë Italiane për lirimin e Alvinit nga kampi Al-Hol në Siri.

Shpresoj që sa më shpejt të jetë e mundur të bëhen veprimet e dobishme për të arritur në një përfundim pozitiv për këtë histori të trishtueshme. Do ta ndjek historinë e Alvinit deri në fund dhe falënderoj gjithashtu redaksinë e emisionit televiziv “Le Iene” për mbështetjen e çmuar që na ka dhënë që në fillim. Shpresoj se “Alvin Free” të mund të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Paola Romeo./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...