Transmetuar më 05-11-2019, 09:57

Dalin detaje të reja lidhur me grabitjen e kasafortës me para në Postën e Krujës. Roja private i Postës është arrestuar pas grabitjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës, i akuzuar për veprat penale “Moskallzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”.

Kjo pasi 51-vjeçari Besnik Parruca, banues në Durrës, nuk ka njoftuar policinë për vjedhjen me thyerje të kasafortës së Postës së Krujës.

Mëesohet se nga aty grabitësit kanë arritur të marrin 11 milionë lekë të vjetra dhe disa para në valutë të huaj duke u zhdukur pa gjurmë.

Parruca gjatë marrjes në pyetje nga policia ka thënë se nuk ka bërë denoncim, pasi është kërcënuar me jetë nga grabitësit.

Sakaq po për të njëjtën ngjarje është shpallur në kërkim për “Shpërdorim detyre” edhe specialisti i sallës së rojeve private, S. T., 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet gjithashtu se ka shpërdoruar detyrën duke mos njoftuar Policinë e Shtetit.

Vjedhja është zbuluar dhe denoncuar nga punonjësit e tjerë të Postës, ndërkohë që hetimet janë në vijim për kapjen e autorëve të dyshuar, për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al/