Transmetuar më 03-11-2019, 10:52

Një gjykatë në Barcelonë të Spanjës liroi nga akuza e përdhunimit pesë burra të akuzuar për përdhunimin me radhë të një vajze 14 vjeçe, duke u dënuar me një dënim më të ulët.

Gjithçka, pasi sipas ligjit spanjoll, krimi i përdhunimit qëndron vetëm kur përdoret forca ose kërcënimi, ndërsa në rastin në fjalë vajza ishte e pavetëdijshme, nën efektin e drogës dhe alkoolit, duke mos rezistuar ndaj abuzuesve të saj.

Ky vendim bëri që në të gjithë vendin të shpërthejë një valë protestash, pasi gjykata i dënoi pesë të akuzuarit me 10 dhe 12 vite burg, në dallim nga 15-20 sa parashikon ligji për abuzim seksual.

Ngjarja në fjalë është shënuar në vitin 2016, kur e mitura po merrte pjesë në një festë në një fabrikë të braktisur në Manresa, kur në gjendje të dehur dhe nën efektin e drogës ndoqi një të ri pas në një zonë të mënjanuar të ndërtesës, ku e prisnin edhe burrat e tjerë.

Pasi e përdhunoi fillimisht i riu, ai ftoi dhe shokët e tij, ku e “ndanë” vajzën me nga 15 minuta secili. E mitura gjatë procesit deklaroi se e kishin dehur dhe droguar qëllimisht dhe se ngjarjen e mban mend të turbullt, shkruan noa.al. Gjatë procesit gjyqësor të zgjatur për tre vite, deri në dënimin e dhënë këtë javë, rezultoi se abuzuesit ishin në dijeni të moshës së mitur të vajzës. /a.y/noa.al