Transmetuar më 02-11-2019, 18:04

Ka vite që qarkullon dorazi në rrethe të ndryshme publike një vjershë nën titullin e sajuar “Merr e zgjidh” ose pa titull fare, e cila i atribuohet Fan Nolit. Vazhdon edhe sot që vjershës t’i vihet emri i Fan Nolit dhe qarkullon sidomos në rrjetet sociale, si krijim i tij, në një kohë kur ajo u bë publike nuk kishte as titull dhe as emër, dhe po ashtu, studiuesi më i shquar i veprës së një prej kolosit të letrave shqipe, e ka hedhur poshtë pretendimin në fjalë.

Zbulimi i Nasho Jorgaqit erdhi pas vitesh të tëra hulumtimi nëpër arkiva. A i ka shkruar Fan Noli vargjet për “sharlatanët tropojanë, skraparllinjtë që të japin dru, lebërit që shtrojnë njerëzinë, shkodranët e ahengut, tiranasit dembelë Stambolli, durrsakët llafazanë, kavajasit kokëpalarë…”?

Ajo që bën habi, është fakti se Fan Noli, në tërë veprimtarinë e tij politike, letrare, dhe si orator i shquar, kurrë nuk bëri dallime krahinore. Në fund të jetës së tij, ka pamje me zë e figurë, që tregojnë se Fan Noli, në veprimtarinë politike, ironizonte klasën politike të kohës, duke u kujdesur të mos bënte dallime në popull. Ai gjithë jetën ishte opozitar, përveç 6 muajve kur u bë kryeministër, përmes revolucionit. Ndër bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, të cilit i dedikoi edhe një elegji pas vdekjes, ishte Bajram Curri, përshkrimin e të cilit në vargje e njohin të gjithë. Noli vështirë të provohet se ra në kundërshtim me idealet e tij deri në fund të jetës.

“Shkoja krahinë më krahinë dhe fshat më fshat, me kalë. Takoja njerëz të thjeshtë dhe kuvendoja me ta. Doja të njihesha me problemet e shqiptarëve. Gjithandej kishte njerëz të zgjuar, punëtorë, patriotë, trima. Përpjekja ime dhe e bashkëpunëtorëve të mi ishte që këtë patriotizëm që shqiptarët e ruajtën ndër shekuj të shtypur, ta unifikonim dhe ta kanalizonim, për të ndërtuar përmes arsimimit dhe dijes shtetin modern shqiptar. Kur lindi Shqipëria, ishte si një foshnje në djep. Nuk mund t’i fajësojmë, ata që e lindin. Është njësoj si të fajësojmë një nënë apo prindërit, pse lindën një fëmijë. Atëherë, neve na mbeti detyrë që ta rrisnin atë, Shqipërinë tonë” ishte pak a shumë ajo çka shprehte Fan Noli, në fund të jetës së tij me atdhetarë në SHBA, pa asnjë shenjë urrejtje dhe dallimi mes krahinave.

Atëherë si është e mundur që Fan Noli, një eurodit me përmasa botërore, i cili ia njohu mirë vuajtjet popullit të tij, dhe nga ana tjetër faktet tregojnë se nuk u bë kurrë pjesë e përfitimeve personale, as ai dhe as bashkëpunëtorët më të ngushtë, siç ishte për shembull Luigj Gurakuqi, ta ketë shkruar me dorën e tij një vjershë, që bën dallime krahinore?

E nëse në rrjetet sociale dhe shumë shqiptarë besojnë se vjersha u shkrua nga Fan Noli, studiuesi më i mirë i veprës së tij, Prof. Nasho Jorgaqi, doli pak kohë më parë në përfundimin se kjo nuk është e vërtetë. Sesi u zbulua dhe kur u bë e njohur kjo vjershë, Nasho Jorgaqi, dha këto shpjegime:

“Në kujtesën time kjo vjershë lidhet me një ngjarje konkrete të rastësishme, që padashur më bën mua dëshmitar. Kanë qenë vitet 80-të, kur punoja si pedagog në Fakultetin e histori-filologjisë dhe një ditë, ndërsa ndodhesha në katedër me kolegun tim Vehbi Bala, trokiti dera dhe hyn një mesoburrë. Si prezantohet, më zgjat një letër me një vjershë të daktilografuar dhe dëshiron të bisedojë me ne. Nuk dua t’i përmend emrin, as punën që bënte, por dua të tregoj gjithë sa ndodhi me të. Pra, pse trokiti në katedrën tonë dhe çfarë kërkonte prej nesh kur mori vesh se ne ishim titullarë të lëndëve të letërsisë shqipe në fakultet”.

“Ai na tregoi se vinte me porosi të të atit, i cili tashmë kish ndërruar jetë, por pak kohë para se të ndahej i kish diktuar një vjershë të Fan Nolit, që sipas tij nuk e kish të shkruar, por e dinte përmendësh dhe nuk desh ta merrte me vete. Dëshira e tij ishte që këtë vjershë i biri ta çonte e t’ia dorëzonte atyre që merren me studimin e Fan Nolit. Dhe ishte një koincidencë e rastit që dy njerëzit që ai takonte ishin studiues të poetit.”

“E morëm vjershën dhe e lexuam veç e veç, njëri pas tjetrit. Kur u njohëm me tekstin, i cili doli se ishte krejt i panjohur për ne, vështruam njëri-tjetrin në sy dhe në heshtje ngritëm supet. I ardhuri na ndiqte me vëmendje  dhe priste përgjigjen tonë. Vjersha nuk ishte më shumë se dhjetë strofa, e thurur me vargje humoristike e herë-herë sarkastike, ku viheshin në lojë bashkatdhetarët e tij sipas krahinave, duke i përfolur dhe tallur dobësitë dhe veset e tyre. Autori ishte tepër kritik dhe i prerë, i pakursyer në epitete negative, me fjalë deri dhe të rënda e të pamëshirshme. Kështu i quante shqiptarët sipas krahinave mercenarë, sharlatanë, budallenj, gënjeshtarë, dembelë, llafazanë, gomerë e kokëpalarë, hajvanë, koprracë, karrieristë etj. Por në pak strofa thoshte dhe fjalë të mira si trima, të fortë, gazmorë, njerëz të zgjuar, komandantë të zotë, të pastër e nikoqirë, patriotë. (Kurse në variantin e fundit që më ka rënë në dorë, vjersha ka 22 strofa, nga të cilat shumica janë me ngarkesë negative dhe vetëm 7 pozitive).”

“Më në fund i dhamë përgjigje të ardhurit që priste me padurim. I thamë se kemi të bëjmë me një vjershë të panjohur, interesante nga ndonjë pikëpamje, por në themel është e diskutueshme, sepse nuk i bën nder shqiptarëve. Për aq sa e njohim ne Nolin, ai s’ka pas mendime negative deri në këtë shkallë që dalin në këtë vjershë. Megjithatë, ne ju falënderojmë për mirësinë që patët të na e besonit. Ne do ta studiojmë e, ç’është më e rëndësishme, do ta verifikojmë. Duhet patjetër të kërkojmë origjinalin në arkiv, ndryshe nuk mund të japim një gjykim shkencor. Por i ardhuri, para se të largohej, na tha se “Të keni besim te im atë. Ai ka qenë aktivist i Vatrës dhe i afërt me Nolin.”

“Dakord, i thamë ne, por jemi para një problemi që duhet studiuar dhe studimi bëhet mbi bazën e dokumentit origjinal, përndryshe nuk mund të quhet i vërtetë.”

“Pas këtij debati të shkurtër, ne u ndamë dhe pas asaj dite nuk u takuam më. Dhe s’kishim pse ta takonim. Kjo ishte një punë që tani na takonte ne si specialistë.”

“Ç’është e vërteta, Vehbiu dhe unë ishim njohur me arkivin e Nolit që gjendet në Arkivin e Shtetit, por vjersha që na solli i panjohuri na bëri që t’i rikthehemi dhe një herë fondit të dorëshkrimeve të poezive të Nolit dhe kështu bëmë. Shkuam, gjurmuam, verifikuam dhe nuk gjetëm gjë, qoftë dhe ndonjë gjurmë. Kështu bëmë dhe me fondin e Faik Konicës, pasi dyshuam se vetëm ai mund të tregohej aq kritik dhe i pamëshirshëm ndaj bashkatdhetarëve të tij.”

“ Por më kot, përsëri nuk gjetëm gjë. Sa për problemin e vjershës që na solli burri i panjohur, ishim të një mendje që të mos e botonim për problematikën delikate dhe qëndrimin negativ që mbahej nga autori anonim.”

“Ndërkaq, Vehbiu u nda nga jeta. Iku me pengun e vjershës, megjithëse kishte shumë dyshime për vërtetësinë e saj. Në këto pozita isha dhe unë, por prapë kisha një merak dhe kur rifillova punën për të hartuar biografinë e Nolit pas viteve 90 dhe m’u dha rasti të shkoja disa herë në SHBA, nuk harrova fatin e vjershës enigmatike.”

“Kështu bëra disa përpjekje në arkivin e Nolit të Kishës së Shën Gjergjit, të Vatrës, shfletova shtypin e viteve 20-30, bisedova me miq të Nolit, bashkëkohës të tij, fola me At Liolinin dhe studiuesin P. Prifti dhe përsëri nuk doli gjë në dritë. Bile kur u a jepja vjershën për ta lexuar jo vetëm nuk e njihnin, por nervozoheshin dhe refuzonin ta zgjasnin bisedën. Megjithatë, unë do të vijoja punën time për biografinë dhe do të njihesha me burime nga më të ndryshmet, por prapë kurrkund nuk dilte një vjershë e tillë.”

“Në arkivin e Nolit dhe veçanërisht atë të poezive, rezultonte se poeti gjatë gjithë jetës, pavarësisht nga detyrat dhe rrethanat e rënda, ishte kujdesur për dorëshkrimet e vjershave të veta. Jo vetëm që i kishte ruajtur dorëshkrimet, bile dhe variantet, por bashkë me to mbante dhe kypyrat e gazetave me vjershat e tij. Por ç’ishte më e rëndësishme, poeti mendonte dhe punonte për t’i botuar vjershat origjinale dhe përkthimet poetike në vëllime të veçanta. Për këtë rezultojnë dy plane të hartuara prej tij, një në vitet 20 e tjetri në vitin 1964, pak para se të ndahej nga jeta. Është interesante që në këto plane gjejmë jo vetëm titujt e vjershave të botuara, por dhe atyre të pabotuara ose atyre që do të shkruante në të ardhmen. Kështu shohim tituj si “Vajtimet e grave”, “Vizionet”, “Darka mistike”, “Juda” etj.”

“Por nga një vështrim serioz e i hollësishëm, duke iu përmbajtur kritereve shkencore, nuk rezultonte ndonjë vjershë, qoftë si titull, me temë si vjersha apokrife që qarkullonte në publikun shqiptar. Nga ana tjetër, kërkimet tona në letërkëmbimin e Nolit, në shtypin letrar-kulturor të diasporës në SHBA, në kujtimet e tij, të bashkëpunëtorëve dhe miqve, nuk gjejmë të flitet për këtë vjershë jo të zakonshme e jo normale, qoftë dhe tërthorazi.’

“E them këtë se tema e kësaj vjershe, me tërë ato kritika dhe etiketime të rënda, me theks tallës e poshtërues për bashkatdhetarët e tij, në qoftë se do të ishte krijim i Nolit nuk do të kalonte pa u vënë re, pa jehonë, pa kritika apo gjykime të kundërta në shtyp e në biseda apo debate midis shqiptarëve pro dhe kundër Nolit, veçanërisht në diasporën e tyre në SHBA. Po kështu, armiqtë dhe kundërshtarët e tij politikë do ta kishin përdorur kundër poetit. E pra, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe ky është një argument tjetër që tregon se Noli nuk ka shkruar një vjershë të tillë”.

“Është e vërtetë se ai ka shkruar vjersha humoristike e sarkastike, të suksesshme, për armiqtë e kundërshtarët politikë që janë dhe figura historike. E tillë është dhe figura e Ahmet Zogut që paraqitet në qendër të disa prej vjershave më të njohura, si “Marshi Barabajt”, “Kënga e Salep Sulltanit”, “Sulltani dhe Kabineti” etj., por në asnjë rast nuk gjejmë epitete banale, fyese, përkundrazi qëndrimin e tij e paraqet përmes paralelizmave që bën me figura mitologjike dhe historike.”

“Ishte kjo poezia e tij politike që e përdorte si mjet efikas në luftën ndaj kundërshtarëve politikë. Ai i drejtohet lexuesit nga pozita e poetit dhe intelektualit atdhetar dhe demokrat. Ndërsa kur është fjala për popullin, Fan Noli shkruan me dashuri, venerim e dhimbje, ku lartëson e himnizon virtytet dhe vlerat historike, bëhet zëdhënës këngëtar i aspiratave kombëtare dhe i progresit shoqëror të shqiptarëve. Mjafton të kujtojmë poezitë “Anës lumenjve”, “Rent or maratonamak”, Himni i flamurit” etj.

“Jam i bindur se vjersha apokrife që qarkullon prej vitesh dorazi dhe i atribuohet F. Nolit jo vetëm nuk i takon atij dhe e përbalt figurën prej korifeu, por shtrembëron dhe falsifikon realitetin shqiptar. Ajo ngjall përçarje dhe tenton të hedhë farën e grindjeve mes krahinave të vendit. S’ka dyshim se një vjershë e tillë nën emrin e Nolit është shkruar me qëllim keqdashës dhe të mbrapshtë në dëm të bashkimit dhe mirëkuptimit kombëtar të popullit shqiptar”.

Ka qenë ky përfundimi, pas një pune kolosale që ka bërë studiuesi i palodhur Nasho Jorgaqi mbi veprën dhe vjershën enigmatike, që i është vënë emri i Fan Nolit. Por cila është vjersha enigmatike që thuhet se e shkroi Noli, e vetmja pa emër e tij?

   “Merr e zgjidh”

A të duhen luftëtarë?

Dhe arratinë armiku të marrë?

A do botës t’i vësh zjarrë?

Merr nja dhjetë kosovarë.

A do male me dëborë

Trima të fortë e malësorë

Fort bujarë e burrërorë

Shkon në Kukës i ke në dorë.

A të duhen sharlatanë

Që lëpihen në çdo sahanë

Që të përçajnë vatanë

Ke sa të duash tropojanë.

A do njerëz për aheng

Për tryeza e për kuvend

Burra e gra kërcejnë me lodër

Këta i gjen veç në Shkodër

Njerëz të zgjuar me lezet

Që i gjen në çdo anë

Që të bëjnë muhabet

Këta janë mjeshtrit dibranë.

A të duhen budallenj

Ca gomerë e ca kopukë

Hajdut, kaçak e batakçinj

Shko e merri mu në Pukë.

A do trima sejmenë?

Kapardisur kudo venë

Gjumi pa i zënë t’mos flenë

Për tre mirditorë bëj benë.

Këta matjanë burra të zotë

Që dikur kanë bërë barot

Se i njeh gjithë vendi mbarë

Nuk bëjnë tjetër veç për xhandarë.

A të duhen gënjeshtarë?

Matrapazë e kokëtharë?

Kripën ta shesin për farë

Merr krutanë dhe je i larë.

Do dembelë për Stamboll?

Mos u lodh e mos hiq hall

Të rreshtosh nja tri taborë

Tiranasit t’i zgjedhësh me dorë.

Po qejflinj a të duhen

Që me jevga dinë të kruhen

Zonja që pjellin çdo vit

Veç Elbasani i rrit.

Në do burra llafazanë,

Që çudisin gjithë dynjanë

Që rrinë tërë ditën rrugës

Nga këta gjen plot në Durrës.

Po kërkove kokë palarë

Kryengritës dhe gomarë

Që punët të shkojnë vaj

Shko e merri në Kavajë.

Kërkon hoxhë e kërkon prift

Mos bridh e mos u ngjit

Se si këta që bëjnë mëkat

I gjen vetëm në Berat.

A do urtë njerëzit të rrinë

Nën komandë të kesh ushtrinë

Në tabjate të kesh njerëzinë

Merre të gjithë Labërinë.

Do për punë një korçar?

I ke bujq e ustallarë

Me gra bashkë e hapin varrë

Krah e kokë s’u ka të sharë.

Do budallenj që veç hanë?

Me dy këmbë do hajvanë?

Pasuri që s’dinë të venë

Merr shëtit gjithë Myzeqenë.

A do të ruash florinj?

Katandinë e shtëpinë?

Me dy qofte mbush sininë

Ec e merr gjirokastrinë.

A do të hash e të bësh qejf?

Sofra e shtruar si për mbret

Pastërti e për hyzmet

Të tillë gjen veç në Përmet.

Do ministra kolonjarë?

Se mbahen burra për mend

Duan kudo të jenë të parë,

Në mexhlis e në kuvend.

Hall i madh me skraparllinj

Ka rrezik të hash dhe dru

Dy ministra le të rrinë

Se na duhen dhe pa tre.

Ore të gjorë harruam Vlorën

Se kjo punë lahet me gjak,

Dy shirit e një medalje

Kësaj pune i vënë kapak.

/NOA.al/